KE shqetësohet për zgjedhjet në Turqi, Yildirim: Të shohë punët e veta

25/04/2018 05:44

Këshilli i Europës ka shprehur shqetësimin e vet në lidhje me zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Turqi, më 24 Qershor të këtij viti.

Nisur pikërisht nga sistemi i ri elektoral, Komiteti i Monitorimit pranë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës deklaroi se legjitimiteti i zgjedhjeve turke është në dyshim.

Gjithashtu, Komiteti shprehu shqetësim për praninë e mundshme të forcave të policisë në qendrat zgjedhore, që mund të ketë një efekt cënues tek votuesit.

Gjithsesi, Turqia u kundërpërgjigj nëpërmjet kryeministrit aktual, Binali Yildirim, posti i të cilit do të shkrihet pas zgjedhjeve.

“Këshilli i Europës duhet të shohë punën e tij. Nëse ata nuk duan të mbajnë zgjedhje, Turqia do t’i mbajë”, ka thënë Yildirim.

Zgjedhjet e parakohshme u thirrën nga presidenti Erdogan, që pasi aprovoi vitin e kaluar me një referendum, kalimin e një ekzekutivi me sistem presidencial, kërkon një fuqi të plotë vendimmarrëse tani.

Ky vendim i Erdogan ka hasur në shumë kundërshti edhe për faktin se po vjen më herët sesa periudha e paracaktuar, sepse zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare ishin parashikuar të mbaheshin në Nëntor të vitit 2019.

Top Channel