Sulmi në Kanada, policia merr në pyetje agresorin e dyshuar

24/04/2018 10:52

Policia kanadeze është duke marrë në pyetje drejtuesin e dyshuar të kamionit me qira, që u përplas mbi kalimtarët në veri të Torontos të hënën, duke vrarë 10 persona e duke plagosur 15 të tjerë.

25-vjeçari Alek Minassian, nga periferia Richmond Hill e qytetit, nuk ishte person i njohur për policinë.

Incidenti që tronditi vendin e qetë verior, duket të ketë qenë i qëllimshëm, por motivet e tij janë të paqarta.

Edhe vet kryeministri Justin Trudeau e cilësoi sulmin si tragjik dhe të pakuptimtë, një ngjarje që – siç tha ai, – i ka sjellë trishtim të madh.

Episodi është cilësuar si një ndër më të dhunshmit në historinë moderne të Kanadase.

Drejtuesi i mjetit, rrëfejnë dëshmitarët okularë, ecte si i tërbuar herë në rrugë e herë mbi trotuar, duke goditur këdo që i dilte përpara.

I pyetur nëse ka prova të ndonjë lidhjeje me terrorizmin ndërkombëtar, shefi i policisë u shpreh se, bazuar në atë që forcat e rendit disponojnë aktualisht, nuk ka asgjë që të tregojë kompromentimin e sigurisë kombëtare.

Hetimi për më tepër nuk i është kaluar policisë mbretërore kanadeze, gjë që i shtyn opinionistët të mendojnë se nuk bëhet fjalë për një rast terrorizmi. Minassian, që ka kryer studimet e larta pranë kolegjit “Seneca”, është përshkruar nga ish-studentët e klasës së tij si një ekspert jo fort social teknologjie.

Një oficer policie, ndërkohë, ka marrë lavdërime për faktin që nuk hapi zjarr gjatë situatës së tensionuar me të dyshuarin, i cili pretendonte se ishte i armatosur, por më vonë u pa se nuk kishte armë me vete. Ai u ishte drejtuar policëve me kërcënim, duke thirrur që ta vrisnin, por në fund u arrestua pa u qëlluar.

Top Channel