Kriza post-zgjedhore në Itali, Presidenti mandaton Roberto Ficon

24/04/2018 00:56

Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella i ka dhënë të hënën mandatin e përkohshëm të kryeministrit eksponentit të Lëvizjes 5 Yjet, Roberto Fico. Fico do të ketë për detyrë eksplorimin e mundësive për gjetjen e një aleancë mes Partisë Demokratike dhe 5 Yjeve.

Bëhet fjalë për përpjekjen e dytë të kreut të shtetit për të zgjidhur ngërçin politik post-zgjedhor, pasi ngarkoi më herët me të njëjtën detyrë Maria Elisabetta Casellatin.

Hipoteza për një marrëveshje mes demokratëve dhe partisë së themeluar nga Bepe Grillo kundërshtohet nga lideri i Forza Italia, Silvio Berlusconi, që pretendon të drejtën për drejtimin e ekzekutivit, pas fitores së koalicionit të djathtë më 4 Mars.

Ndërkohë, përveç mundësisë për të gjetur një dakordësi mes demokratëve dhe 5 Yjeve, nuk përjashtohen alternativat e tjera, bëjnë të ditur mediat italiane.

Duke dalë nga pallati presidencial, Roberto Fico ka deklaruar se do të nisë menjëherë punën dhe ka nënvizuar se pika kyçe e misionit të tij do të jenë interesat e vendit.

Top Channel