Një raport i fundit thekson se ka “dyshime të forta” korrupsioni në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës (KiE), organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Gjetjet janë publikuar në një raport të natës së djeshme nga një grup i pavarur, pas një hetimi që ka zgjatur plot 10 muaj.

Në raportin prej 219 faqesh, autorët pretendojnë se aktivitetet “në favor të Azerbajxhanit janë manipuluar”. Hetimi u nis për të zbuluar pikërisht nëse këto aktivitete ishin përdorur për të zbutur kritikat ndaj qeverisë azere, që mund të vinin prej KiE-s.

Raporti thotë se ekziston “një dyshim i fortë” për korrupsion në emërimin e Pedro Agramunt, një ish-president spanjoll i Asamblesë parlamentare, përfshi këtu “mbështetjen e natyrës financiare” nga Azerbajxhani.

Agramunt u detyrua të jepte dorëheqjen si president i Asamblesë në vitin 2017, pas një mocioni mosbesimi menjëherë pasi ishte takuar me presidentin sirian Bashar al-Assad, po në 2017-n.

Raporti nënvizon gjithashtu dyshimet se, politikani italian dhe ish-anëtari i Asamblesë, Luca Volontè ishte i përfshirë në aktivitete korruptive. Volontè ndodhet nën hetim në Milano, mbi “dyshimet për korrupsion dhe pastrim parash”, sipas raportit.

Vitin e kaluar, “Politico” raportoi mbi akuzat se Volontè mori rreth 2.4 milionë euro nga zyrtarët azerë, për “mbështetjen e tij ndaj qëndrimeve politike të shtetit” në Këshillin e Europës. Raporti theksonte gjithashtu se kishte konflikt interesi, apo shkelje të rregullave parlamentare nga pjesëtarë të tjerë dhe ish-pjesëtarë të Asamblesë parlamentare.

Këshilli i Europës, me seli në Strasburg dhe me 47 anëtarë, është i fokusuar në të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Edhe pse hetimi ishte fokusuar mbi akuzat për ndikim të paligjshëm nga Azerbajxhani, ai hetoi edhe pretendimet se Rusia, Ukraina dhe Turqia u përpoqën të ushtronin presion ndaj pjesëtarëve të KiE-së.

Top Channel