Lamtumira ndaj Barbara Bush, i biri Jeb ishte përzgjedhur për elegjinë

21/04/2018 08:57

Rreth 1.500 të ftuar priten gjatë funeralit privat të kësaj të shtune për ish-Zonjën e Parë të Shteteve të Bashkuara, bashkëshorte dhe nënë e secilit prej presidentëve Bush, në kishën më të madhe episkopale të vendit.

Zonja e Parë aktuale, Melania Trump, ish presidenti Bill Clinton dhe bashkëshortja Hillary, si dhe ish-presidenti Barack Obama me të shoqen Michelle, janë mes atyre që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në shërbesën që do të zhvillohet në kishën episkopale “St. Martin” të Houstonit.

Ceremonia mortore do të kalojë më pas në Bibliotekën Bush në Universitetin “A&M” të Teksasit, rreth 161 km në veriperëndim të Houstonit.

Ndërkohë, vendi ku do të prehet Barbara Bush është një copë toke e rrethuar nga pemë dhe buzë një përroi, aty ku prehet edhe vajza 3-vjeçare e çiftit, Robin, e cila ndërroi jetë nga leuçemia në vitin 1953.

Në një deklaratë të publikuar të premten, familja njoftoi se Barbara Bush kishte përzgjedhur Jeb Bushin, ish-guvernator i Floridës, të mbante elegjinë, së bashku me mikeshën prej një kohe të gjatë, Susan Baker, bashkëshorte e ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, James A. Baker III, si dhe historianin Jon Meacham, i cili shkroi një biografi në vitin 2015 për bashkëshortin e saj.

Mijëra njerëz i bënë homazhe gjatë së premtes Barbarës, bashkëshorte e presidentit të 41-të të Amerikës dhe nënë e presidentit të 43-të të Shteteve të Bashkuara. Zonja Bush ndërroi jetë të martën në shtëpinë e saj, në Houston, në moshën 92-vjeçare.

FOTO GALERI
18/25

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA