Trump do të mungojë në ceremoninë mortore të Barbara Bush

20/04/2018 22:50

Presidenti Donald Trump do të mungojë në funeralin e ish-Zonjës së Parë, Barbara Bush, që do të mbahet të shtunën. Shtëpia e Bardhë e justifikoi mungesën e tij me arsyet se “kërkon të shmangë pengesat që mund të shkaktojnë siguria e tepërt nga prania e tij, si dhe për respekt ndaj familjes Bush”.

Megjithatë, e pranishme do të jetë Melania Trump sa për të përfaqësuar familjen presidenciale, sipas deklaratës së publikuar.

Arkivoli me trupin e së ndjerës po mbahet në kishën episkopale “St Martin”, në Houston të Teksasit.

Presidenti Trump e quajti zonjën Bush “një person tejet të mrekullueshëm” gjatë një konference për shtyp të së mërkurës.

“Ajo ishte një grua patriote, krenare dhe e besimit të thellë”, tha Trump nga resorti i tij në Mar-a-Lago.

Gjithsesi, Trump ka pasur marrëdhënie të vështira me familjen Bush, veçanërisht gjatë garimit të tij për nominimin presidencial të republikanëve përballë Jeb Bushit, në vitin 2016. Të dy ish-presidentët Bush janë përplasur ashpër me kreun aktual të Shtëpisë së Bardhë.

Në një libër të titulluar “Republikanët e fundit”, George H. W. Bush e kishte quajtur Trumpin “mburravec e pompoz”, ndërsa George W. Bush shprehej “ky djalosh nuk e di se çfarë do të thotë të jesh president”.

Përveç bashkëshortit dhe djalit të saj, edhe ish-presidentët Bill Clinton e Barack Obama do të marrin pjesë në ceremoninë mortore të së shtunës, sikurse edhe ish-Zonjat e Para, Hillary Clinton, Laura Bush dhe Michelle Obama.

I vetmi ish-president që do të mungojë për shkak se ndodhet jashtë vendit, është Jimmy Carter, sikurse edhe bashkëshortja e tij Rosalynn, për shkak se po rikuperohet pas një operacioni.

Homazhe për zonjën Bush janë “derdhur lumë” nga e gjithë bota, teksa shumica e udhëheqësve apo edhe njerëzve të thjeshtë kanë lavdëruar punën e saj për arsimimin e të rriturve, pavarësisht se ka pasur edhe reagime negative.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel