Britani, nis pastrimi i zonave të kontaminuara nga agjenti nervor

20/04/2018 19:30

Në qytetin britanik, Salisbury, ka nisur puna për të pastruar zonat që u ndotën nga agjenti kimik i përdorur në helmimin e ish-agjentit rus, Sergei Skripal, dhe vajzës së tij Yulia.

Banorët e qytetit u lajmëruan për operacionin, që përfshin 9 zona të nxehta, aty ku niveli i agjentit nervor është më i lartë.

Policia britanike beson se Skripal dhe vajza e tij patën kontaktin e parë me agjentin nervor në shtëpinë e ish-agjentit, e që aty e përhapën atë në disa zona të tjera të qytetit. Mes tyre, një restorant dhe një pub, që u vizituan nga Skripalët dhe që policia i ka mbyllur që prej sulmit të 4 marsit.

Autoritetet britanike thanë se operacioni i dekontaminimit është i domosdoshëm, pasi në disa vende, niveli i lartë i helmit është i rrezikshëm për qytetarët.

Sipas policisë, njëkohësisht me pastrimin do të zhvillohen edhe kërkime të reja për ndonjë zonë të mundshme të ndotur, që mbase deri tani s’është zbuluar.

Pjesë e operacionit të pastrimit është edhe rajoni lokal i policisë, që do të mbyllet për 8 javë. Yulia Skripal, vajza e spiunit, doli nga spitali më 10 prill dhe mbahet në një vend sekret. Babai i saj, Sergei është ende në spital, por jashtë rrezikut për jetën.

Raportet mes Londrës dhe Moskës janë përkeqësuar ndjeshëm, që kur qeveria britanike akuzoi Rusinë për sulmin, ndërsa Kremlini vazhdon të mohojë gjithçka.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel