Siri, sulmohet me armë ekipi i sigurisë i OKB-së

19/04/2018 05:29

Një ekip sigurie i dërguar nga OKB është sulmuar me armë zjarri në Siri, teksa mbikëqyrte një prej zonave ku dyshohet se janë përdorur armë kimike përpara mbërritjes së hetuesve ndërkombëtarë.

Inspektorët e Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike ndodhen në Siri për të hetuar ngjarjen e 7 prillit, për të cilën vendet Perëndimore akuzojnë trupat qeveritare se kanë përdorur armë kimike ndaj popullsisë.

Drejtori i përgjithshëm i OPAK-së, Ahmet Uzumçu deklaroi se Departamenti i Sigurisë pranë OKB-së kishte vendosur të kryente një mision paraprak në dy zonat e qytetit të Dumës, përpara mbërritjes së ekspertëve që do të kryejnë ekzaminimet.

“Kur mbërriti në zonën e parë, një turmë e madhe u mblodh dhe e këshilloi ekipin e sigurisë që të tërhiqej. Në zonën e dytë, ekipi u gjend nën një sulm me armë zjarri dhe eksploziv dhe u detyrua të kthehej në Damask”, ka deklaruar zyrtari. Më herët, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis fajësoi qeverinë siriane se po vonon mbërritjen e inspektorëve në dy vendngjarjet, me qëllim pastrimin e provave përpara se të nisin hetimet.

“Jemi në dijeni të vonesave që regjimi po i shkakton delegacionit, por jemi gjithashtu në dijeni të praktikave të tyre në të kaluarën, për të mbuluar atë që kanë bërë”, tha Mattis.

Top Channel