Pavarësia e Izraelit, 70 orë festime për 70-vjetorin e shtetit

19/04/2018 11:29

Izraeli përkujton 70-vjetorin e themelimit të tij, me një festë që do të zgjasë 70 orë. Fjalime ceremoniale, koncerte, fishekzjarre, kremtime në rrugë janë parashikuar. Vendi hebre do të jetë mjaft i hareshëm deri të shtunën në mbrëmje.

Çelja e festimeve u shënua me ceremoninë e mbajtur në kodrën “Herzl”, ku ndodhen Varrezat e Kombit e ku u ndezën pishtarët.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu theksoi se Pavarësia e Izraelit do të thotë edhe aftësi për vetëmbrojtje. Ai u drejtoi një mesazh vendeve të rajonit: Dora jonë zgjatet në paqe për të gjithë fqinjët tanë që e duan paqen.

Më pas, së bashku me presidentin Reuven Rivlin falënderoi shefin e Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin e shtetit hebre në muajin dhjetor.

Nëntorin e vitit 1947, një ditë para votimit të pritshëm në OKB mbi ndarjen e Palestinës në shtete hebraike dhe arabe, CIA i kërkoi presidentit Harry Truman të mos entuziazmohej shumë nga ideja.

“Amerikës do t’i duhet ta mbrojë vendin e ri hebre”, thuhej në memon e fshehtë të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës. “Hebrenjtë, – vazhdonte ajo, – nuk do të rezistojnë dot më shumë sesa dy vite”.

Disa muaj më vonë, David Ben-Gurion ishte gati të shpallte krijimin e shtetit të Izraelit. I ulur mes dhjetëra burrave që do të përcaktonin fatin e kombit në formim, ai u kthye nga njëri prej krerëve më të rëndësishëm ushtarakë, Yigael Yadin, dhe e pyeti nëse mendonte se një shtet i ri hebre do t’i mbijetonte reagimit të pashmangshëm arab.

Yadin tha se mundësitë ishin 50 me 50. Sot, të tilla histori duken si relike të një kohe tjetër. Në 70-vjetorin e tyre të Pavarësisë, izraelitët – thotë “Bloomberg”, – janë më se të ndërgjegjshëm dhe thellësisht krenarë për faktin se, vendi i tyre i plotësoi e i tejkaloi ambiciet e burrave dhe grave që e themeluan dekada më parë.

Top Channel