Dy Koretë, drejt “abrogimit” të ligjit të luftës, në fuqi prej viteve ‘50

17/04/2018 18:01

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut duket se po përgatiten për herë të parë për t’i dhënë zyrtarisht fund luftës mes dy vendeve, kur udhëheqësit respektivë, diktatori Kim Jong-un dhe presidenti Moon Jae-in të takohen gjatë javës së ardhshme.

Dy Koretë janë teknikisht ende në luftë, pasi konflikti i përgjakshëm korean i viteve 1950-’53 përfundoi me një “paqe” në vend të një “traktati paqeje”.

Media koreano-jugore raporton se dy palët kanë nisur t’i diskutojnë planet për një fund të përhershëm të gjendjes së luftës gjatë samitit mes Veriut e Jugut, duke cituar zyrtarë nga Seuli që kanë preferuar të ruajnë anonimatin.

Kim pritet të shkruajë historinë kur të takohet me presidentin Moon Jae-in në samitin që do të zhvillohet në territorin koreano-jugor më 27 prill. Ai do të jetë i pari udhëheqës i Koresë së Veriut që shkel në tokën koreano-jugore që prej viteve ’50.

Dy Koretë mund të diskutojnë gjithashtu edhe tërheqjen e një numri të konsiderueshëm të Forcave të Armatosura në zonën e fortifikuar rëndshëm të demilitarizimit mes dy fqinjëve, thuhet gjithashtu në media.

Kim Jong-un pritet gjithashtu të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump në maj apo fillim të qershorit, gjithnjë nëse do t’i besohet asaj çfarë ka shkruar kreu i Shtëpisë së Bardhë. Gjithsesi, zyrtarë të administratës amerikane janë ende skeptikë për përpjekjet e papritura që po bën diktatori antiamerikan.

Javën e kaluar, i nominuari për Sekretar Shteti dhe drejtor i CIA-s në detyrë, Mike Pompeo tha se Koreja e Veriut nuk duhet të presë “shpërblime” nga bisedimet, derisa të ndërmarrë hapa të pakthyeshëm drejt dorëzimit të armëve bërthamore.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel