Agjenti nervor i përdorur ndaj Skripalit, në gjendje të lëngshme

17/04/2018 17:39

Agjenti nervor i përdorur për helmimin e Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, në Salisbury, është transportuar në formë të lëngshme. Ky është përfundimi i Departamentit për Mjedisin, Ushqimin dhe Çështjet rurale (DEFRA).

Një sasi tejet e vogël e agjentit nervor “Novichok” u përdor në sulmin ndaj ish-agjentit të dyfishtë rus, ndërsa përqëndrimi më i madh i këtij lëngu u gjet në shtëpinë e Skripalit.

Puna për dekontaminimin e vendeve ku u shpërnda ky agjent, në Salisbury, ka nisur tashmë, por pritet të marë disa muaj kohë dhe do të përfshijë rreth 200 pjesëtarë të Forcave të Armatosura.

Nëntë vendndodhje të ndryshme janë identifikuar si ato që kanë më shumë nevojë për një pastrim kimik nga specialistët, thekson në njoftimin për shtyp DEFRA. Mes tyre përfshihen një pjesë e qendrës tregtare “Maltings”, ku babë e bijë u shembën përtokë; restoranti “Zizzi” dhe klubi i natës “Mill”, që u vizituan prej tyre gjatë asaj dite; por edhe shtëpia e tyre në periferi të qytetit. Gjithashtu theksohet se, edhe shtëpia e oficerit të policisë që pësoi lëndime gjatë atij incidenti, Nick Bailey, ka nevojë për dekontaminim.

Policia ishte shprehur edhe më herët se, besonin që dyshja në fjalë ishte helmuar nga dera e shtëpisë së Skripalëve, aty ku specialistët gjetën përqëndrimin më të madh të agjentit nervor. Disa informacione të shërbimeve sekrete, gjatë javës së kaluar, pretendojnë se Rusia kishte testuar nëse dorezat e dyerve mund të përdoreshin si mjet për shpërndarjen e agjentit nervor.

Top Channel