Polonia e Izraeli, krah për krah në Aushvic

13/04/2018 01:58

Tensionet mes Polonisë dhe Izraelit, të krijuara nga ligji kontradiktor i polakëve për Holokaustin, duket se janë sheshuar tashmë.

Në ditën që përkujton përndjekjen ndaj hebrenjve, Presidenti i Polonisë dhe ai i Izraelit, kanë marshuar së bashku në kampin e Aushvicit, duke lënë mënjanë polemikat.

Andrzej Duda dhe Rojven Rivlin u bashkuan me rreth 15 mijë persona, shumica e të cilëve hebrenj të ardhur nga vende të ndryshme të botës, dhe përshkuan 3 kilometra rrugë, që nga hyrja e kampit që mban parullën famëkeqe “Puna të bën të lirë”.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, izraeliti Rivlin tha se kërkon që Polonia të bëjë një kërkim sa më të plotë për Holokaustin. Nga ana tjetër, Duda u përgjigj se Polonia nuk ka ndërmend aspak t’i kufizojë rëndësinë Holokaustit.

“Përkundrazi, ne dëshirojmë ta mbrojmë të vërtetën historike, përfshirë ato pjesë që për polakët nuk janë të pranueshme. Në qëndrimin tonë nuk ka pasur kurrë një qëndrim armiqësor ndaj hebrenjve”, tha presidenti polak.

Top Channel