“Mendimi serb se Kosova mund t’i kthehet është vetëm humbje kohe”, deklaron Milo Gjukanoviç.
Udhëheqësi i Partisë Demokratike Socialiste në pushtet, në Mal të Zi, thotë se Serbia e ka humbur luftën për Kosovën me politikat e gabuara të së kalurës dhe konfliktin e pamenduar me NATO-n, në vitin 1999.
Njeriu që ka qenë në pushtet prej gati 3 dekadash, më 15 prill kandidon sërish për postin e presidentit.
“Mali i Zi, – shprehet ai, – nuk e njohu Pavarësinë e Kosovës për shkak të presionit nga Perëndimi, por prej bindjes se e vërteta duhet parë në sy”.
Përpos kësaj, një veprim i tillë për Gjukanoviçin kontribuon në qëndrueshmërinë e rajonit.
“Serbia e sotme, – thotë politikani veteran, – nuk vendos për Kosovën. Ajo thjesht ka marrë më herët faturën e disfatës”.
Sondazhet e deritanishme e vendosin në krye Gjukanoviçin, e ai mund të fitojë përsëri, pavarësisht faktit, që sipas analistëve vendit i nevojitet një ripërtërim demokratik.
Çështja është se opozita malazeze mbetet e fragmentarizuar dhe mjaft e dobët. Votat e komuniteteve pakicë, nga ana tjetër, edhe këtë herë pritet të kenë një rol kyç në zgjedhje.
Gjukanoviç njihet për krijimin e marrëdhënieve harmonike me të gjitha komunitetet etnike në vend, e nga kjo ka përfituar mbështetje të gjerë politike.
Top Channel