Gattuso rinovon deri në 2021-shin me Milanin: Faleminderit për besimin!

05/04/2018 17:26

Përpara të gjithë tifozëve kuqezinj, në një mënyrë “high tech” përmes transmetimit të drejtpërdrejtë në rrjetin social Facebook, administratori i deleguar Marco Fassone dhe trajneri Gennaro Gattuso kanë firmosur kontratën e re të këtij të fundit.

Gattuso do të qëndrojë në krye të Milanit deri në vitin 2021, një rinovim 3-vjeçar që e rrit pagën nga 120 mijë euro në sezon, në 2 milionë euro, por siç deklaroi Mirabelli, “shpresoj që të qëndrojë edhe më gjatë me ne”.

“Kam vetëm fjalë falenderimi për këtë mundësi. Pa Fassonen dhe Mirabellin nuk do të isha këtu. M’u dha ky rast dhe jam i lumtur që drejtoj një ekip kaq shumë të famshëm si Milani. Falënderoj të gjithë djemtë dhe stafin tim gjithashtu. Faleminderit për besimin dhe le të shpresojmë ta ngremë sa më lart dhe sa më shpejt Milanin”, u shpreh trajneri kuqezi.

Administratori i deleguar i “djallit” u shpreh tejet entuziast pas firmës së hedhur në kontratë. “Tashmë mund të shtrëngojmë zyrtarisht duart dhe le ta gëzojmë këtë rinovim”, tha ai.

“Kam folur shumë me Rinon. Njerëzit duan tashmë të dëgjojnë prej tij dhe të shohin frytet e punës së tij. I uroj gjithë të mirat dhe shpresoj të qëndrojë me ne shumë më shumë sesa 3 vite”, deklaroi ndërkohë Mirabelli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA