Tani që gjithë ekonomia botërore është lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me internetin dhe teknologjinë dixhitale, rregullimi me ligje bëhet një nevojë më e rëndësishme se kurrë. Por nëse rregulloret janë të çala, tepër të ashpra, bllokuese ose të paqëndrueshme, do të kishte pasoja shumë të rënda me zhvillimin dhe tërësinë ekonomike.

Lajmet e fundit që treguan se “Cambridge Analytica”, një firmë për konsulencë politike, kishte përdorur një aplikacion për të mbledhur të dhëna nga 50 milionë profile në Facebook, solli reagime të ashpra kundër gjigantit të rrjeteve shoqërore. Por është vetëm një nga shembujt e rreziqeve që vijnë sot me internetin, që është bërthama e revolucionit dixhital.

Shumica e risive dixhitale që kanë ndryshuar ekonominë botërore në 25 vitet e fundit janë bazuar te mundësia që u jepet njerëzve për t’u lidhur me njëri-tjetrin nëpërmjet rrjetit. Kjo gjë ka ndryshuar mënyrën se si funksionojnë sistemet e tregtisë, të komunikimit, të arsimit, të furnizimit me mallra, etj. Lidhja nëpërmjet rrjetit u jep njerëzve kontakt me sasi të stërmëdha informacioni, si dhe me informacion që përmirëson aftësinë e makinerive për të mësuar gjëra vetë, një nevojë bazë për inteligjencën artificiale.

Në 15 vitet e fundit, interneti i ofruar në celular e ka nxitur edhe më fort këtë ndryshim. Jo vetëm që ka shtuar numrin e njerëzve që ndodhen njëkohësisht në internet, (si rrjedhojë edhe mundësinë e tyre për të qenë pjesë e ekonomisë dixhitale), por ka bërë gjithashtu që të lidhen më shpesh e më lehtësisht me njëri-tjetrin. Që nga lokalizuesi satelitor GPS, pagesat nga celulari e deri te platformat “ride-sharing”, lehtësia e komunikimit ka sjellë ndryshime të mëdha në jetën e njerëzve.

Është besuar për vite me radhë se një internet i lirë, me protokolle të standardizuara por ama me pak rregulla, do të ishte më dobiprurës për përdoruesit, për komunitetet, për shtetet e madje për gjithë ekonominë botërore. Por tani janë shfaqur rreziqe të reja, si monopolizimi i pushtetit nga platforma gjigante (Facebook e Google); pasiguria ndaj sulmeve në infrastrukturë, në sistemet e tregjeve financiare, në proceset zgjedhore etj; si dhe janë shfaqur kërcënime të reja ndaj jetës private dhe pronës intelektuale. Po ashtu mbeten pa përgjigje pyetjet se sa pozitivisht e ndikon interneti pjesëmarrjen në politikë, zhvillimin e barabartë shoqëror, ndërgjegjësimin dhe angazhimin e qytetarëve, zhvillimin dhe rritjen e fëmijëve.

Teksa interneti dhe teknologjitë dixhitale depërtojnë gjithnjë e më thellë në ekonomi dhe shoqëri, këto rreziqe sa vijnë e shtohen. Dhe deri tani, e vetmja mënyrë që funksionon në Perëndim për menaxhimin e këtyre rreziqeve (vetë-rregullimi nga kompanitë që ofrojnë shërbimin dhe që zotërojnë të dhënat) nuk duket se ka funksionuar. Sot nuk mund të presë njeri që platformat e rrjeteve shoqërore të heqin nga interneti materiale të rrezikshme, për shembull, pa u urdhëruar nga gjykatat apo rregullatorë të tjerë.

Duket se po përballemi me një tranzicion të ri që do të na çojë nga interneti i hapur dhe i lirë te një rrjet që i nënshtrohet më shumë kontrolleve. Por edhe ky proces ka rreziqet e veta.

Këto rreziqe sjellin një nevojë e madhe për bashkëpunim ndërkombëtar, por një qasje e tillë duket pak e mundshme me këtë klimë proteksionizmi dhe njëanshmërie që ka bota tani. Nuk është e qartë as nëse shtetet do të binin dot dakord për të ndaluar luftën kibernetike. Edhe sikur të arrihet një farë bashkëpunimi ndërkombëtar, aktorë jo-shtetërorë do të vazhdonin të prishnin rendin ose edhe më keq se aq.

Me këtë sfond duket e vështirë që shtetet individuale të ndërmarrin sisteme të reja rregulluese, pasi do t’u duhej t’u përgjigjeshin pyetjeve shumë të vështira. Kush do të jetë përgjegjës për sigurinë e të dhënave? A duhet të lejohen shtetet që të marrin të dhënat e përdoruesve? Nëse po, për çfarë qëllimesh? A do të lejohen përdoruesit të ruajnë anonimitetin në internet?

Përgjigjet e shteteve ndaj këtyre pyetjeve do të ishin të ndryshme, pasi vetë shtetet kanë ndasi të mëdha për sa u përket vlerave, parimeve dhe strukturave të qeverisjes. Për shembull, autoritetet në Kinë filtrojnë materiale interneti që nuk përputhen me interesat shtetërore. Në Perëndim nuk ka asnjë ent me autoritet të mjaftueshëm për të filtruar materialet, përveçse në raste ekstreme (fjalime urrejtjeje apo pornografi të miturish). Edhe për ato pak fusha ku duket se ka mirëkuptim, si bllokimi i lajmeve të rreme apo ndërhyrja në zgjedhjet e vendeve të huaja, nuk ka asnjë lloj mirëkuptimi për të vendosur zgjidhje të përbashkëta.

Mungesa e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mund të çojë në krijimin e kufijve kombëtarë edhe në internet, të cilat do të pengonin rrjedhën e informacionit dhe do të trazonin tregtinë, linjat e furnizimit me mallra dhe investimet nga jashtë. Ka shumë platforma teknologjike me bazë në Amerikë që nuk veprojnë dot në Kinë, sepse nuk munden ose nuk duan t’i pranojnë rregullat e autoriteteve kineze në lidhje me kontrollin e të dhënave personale.

Ndërkohë, SHBA ka bllokuar kompaninë kineze Huawei dhe nuk e lejon të investojë në biznese të reja që merren me programe kompjuterike; nuk lejohet të furnizojë kompanitë celulare amerikane me pajisje teknike (bashkë me kompaninë tjetër kineze, ZTE), dhe as të shesin celularët e tyre në tregjet amerikane, për shkak të lidhjeve që këto kompani thuhet se kanë me qeverinë kineze. Huawei dhe ZTE këmbëngulin që veprimtaritë e tyre kanë vetëm qëllime tregtare dhe se ata i zbatojnë me përpikëri rregullat në çdo shtet ku bashkëpunojnë, por zyrtarët në SHBA këmbëngulin që këto kompani shfaqin rrezik për Amerikën.

Ndryshe nga Amerika, pothuajse të gjitha vendet në Europë, përfshi Mbretërinë e Bashkuar, e kanë pranuar si Huawei-n ashtu dhe ZTE-n, të cilat janë kthyer në biznese të rëndësishme në këto vende. Megjithatë, edhe Europa po shton caqet e veta me rregulla të reja privatësie, të cilat mund të pengojnë aftësinë e makinerive për të mësuar (inteligjencën artificiale). Ndryshe nga Kina dhe SHBA-të, Europa nuk është ende vend origjine për një platforme gjigante interneti që të udhëheqë zhvillimin e inteligjencës artificiale.

Tani që e gjithë ekonomia botërore është lidhur në mënyrë të pazgjidhshme me internetin dhe teknologjinë dixhitale, rregullimi me ligje bëhet një nevojë më e rëndësishme se kurrë. Por nëse rregulloret janë të çala, tepër të ashpra, bllokuese ose të paqëndrueshme, do të kishte pasoja shumë të rënda me zhvillimin dhe tërësinë ekonomike.

Para se bota të caktojë ligje kundërprodhuese ose të padobishme, politikanët duhet të mendohen me kujdes për qasjen e tyre ndaj sistemeve rregullatorë. Nëse nuk biem dot dakord për çdo detaj, të paktën të identifikojmë një grup parimesh të përbashkëta që të formojnë bazën për marrëveshje të tjera shumëpalëshe, të cilat duhet të kenë fuqinë për të ndaluar veprimtari shkatërrimtare, si për shembull abuzimin me të dhënat personale, duke ndihmuar kështu që të ruhet një ekonomi botërore e hapur dhe e lirë.

Michael Spence dhe Fred Hu, Project-Syndicate

Top Channel