Lëkundje të forta në Athinë, dy tërmete njëra pas tjetrës, ja sa ishte magnituda
Autoritetet greke kanë njoftuar se kanë vënë në pranga një 37-vjeçar me origjinë palestineze në Agios Nikolaos të Kretës, i cili dyshohet se po përgatiste një sulm terrorist ndaj një anijeje turistike me pasagjerë izraelitë.
Sipas hetimeve, objektivi i mundshëm ishte një kroçerë që pritej të mbërrinte në Kretë të martën, ndërsa arrestimi i të dyshuarit u krye të shtunën në mesditë.
37-vjeçari jetonte prej rreth një viti në Greqi, kishte status azilkërkuesi dhe punonte sezonalisht në një hotel në zonën e Agios Nikolaos. Megjithatë, kontaktet e tij me persona të arrestuar javët e fundit në Qipro për çështje terrorizmi e vunë nën vëzhgimin e Shërbimit Informativ Kombëtar grek dhe të Njësisë Antiterror.
Sipas informacioneve të hetuesve, ai dyshohet se kishte marrë trajnim të posaçëm dhe kishte udhëtuar në zona të caktuara për të planifikuar veprime terroriste.
Nga hetimet rezultoi se ai po përgatitej të porosiste lëndë shpërthyese, por nuk kishte arritur ta bënte këtë para arrestimit.
Gjatë kontrolleve në banesat ku kishte qëndruar më parë në Athinë dhe në Kretë, policia sekuestroi telefona celularë, kompjuterë portativë, pajisje USB dhe materiale laboratorike. Megjithatë, nuk u gjetën armë apo eksplozivë.
Burime pranë hetimit bëjnë të ditur se gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari ka pranuar se kishte menduar të kryente një sulm, por ka pretenduar se në momentin e fundit kishte hequr dorë. Një shpjegim që nuk bind autoritetet greke, të cilat vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrjetin dhe planin e tij.
Sipas të njëjtave burime, çështja lidhet me arrestimin e 4 personave në Qipro rreth dyjavë më parë, të dyshuar për planifikimin e sulmeve ndaj objektivave izraelite.
Hetimet mbi telefonat dhe komunikimet e tyre zbuluan kontakte me persona të tjerë në rajon, mes të cilëve edhe 37-vjeçari i arrestuar në Kretë. Pas bashkëpunimit me shërbime inteligjente të vendeve të tjera dhe një periudhe të gjatë vëzhgimi, autoritetet greke vendosën të ndërhyjnë dhe ta arrestojnë, duke e konsideruar çështjen si një kërcënim serioz për sigurinë.
Top Channel