Klima e biznesit, Ahmetaj replikon me Dhomën Amerikanë të Tregtisë

24/03/2018 15:17

Qeveria ka reaguar për herë të parë ndaj sondazhit të Dhomës Amerikane të Tregtisë, i cili konstaton se klima e biznesit në Shqipëri u përkeqësuar vitin e kaluar.

Ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se ndjesitë e bizneseve të Dhomës Amerikane nuk përkojnë me gjendjen e tyre financiare.

“142 kompani të cilat në pjesën dërrmuese të tyre kanë raportuar bilance me rritje, ndërkohë që kanë një ndjesi më të ndrydhur. Kjo ka vetëm një shpjegim, pritshmëritë e larta. Ata presin më shumë nga qeveria dhe kjo është e shëndetëshme”, thotë Ahmetaj.

Sipas Ahmetajt ecuria pozitive e ekonomisë është konfirmuar jo vetëm nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, por edhe nga grupi i njohur Euromoney, i specializuar në vlerësimet financiare të shteteve.

“Sipas raportit të Euromoneyt, risku në ekonominë shqiptare është ulur. Pra, është më i ulët se sa ka qenë vitet e kaluara”, vijon ministri.

Megjithatë, ashtu si Fondi Monetar edhe ministri i Financave e pranon se risku në ekonominë shqiptare mbetet në nivele të larta, i diktuar nga borxhi publik.

“Duhet ulur më tej niveli i borxhit, duhen paguar detyrimet e prapambetura në mënyrë që kuadri makro të mbështesë rritjen ekonomike”, përfundoi Ahmetaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA