Mauro Icardi ishte tema e javëve të fundit, e me shumë gjasë do të jetë në epiqendër të mediave sportive edhe në muajt e mbetur të këtij sezoni futbollistik në Serinë A.
Sulmuesi argjentinas që duket edhe më larg pjesëmarrjes në Botërorin e kësaj vere me kombëtaren konsiderohet rinovimi më impenjues i Interit në vitet e fundit. Bomberi amerikano-latin ka shumë oferta nga skuadrat më të njohura të futbollit europian, por edhe pse në optikën e Çelsit apo Realit të Madridit, kërkon të qëndrojë të paktën edhe një sezon me skuadrën e San Siros.
Wanda Nara, gruaja dhe njëkohësisht agjentja e futbollistit të Interit ka tentuar në disa raste të prishë qetësinë mes palëve, me qëllim për të përfituar një marrëveshje më të mirë ekonomike. Por gjithçka duket se çon në një rinovim milioner për Mautro Icardin, që do të vijë në kohën e festës së Pashkës. Inter kërkon ta bëjë sulmuesin latin, më të paguarin në Aerinë A, pasi bonuset dhe të drejtat e imazhit do ta bëjnë Icardin të kalojë edhe Paulo Dybala e Gonzalo Higuain.
Secili prej tyre merr 7.5 milionë Euro në vit te Juventus dhe si për ironi të fatit janë konkurrentët e Icardit për në kombëtaren e Argjentinës. Mauro Icardi ka një klauzolë largimi 110 milionë Euro, që në futbollin e sotëm konsiderohen pak për një sulmues si ai. Inter synon ta çojë klauzolën bllokuese në 180 milionë, pikërisht për ta shitur më pas në një moment të dytë.
Top Channel