Qëndrimi i Jose Mourinhos në pankinën e Manchester United do të varet nga ndeshja gjysmëfinale e Kupës së Anglisë, kundër Tottenhamit.
Lajmi publikohet nga “Manchester Evening News”, sipas së cilës, nëse “djajtë e kuq” eliminohen nga skuadra londineze në sfidën që do të luhet në “Wembley” më 21 prill, atëherë drejtuesit e klubit do të vendosin të shkarkojnë trajnerin portugez, edhe pse ai rinovoi vetëm në janar kontratën me Manchester United deri në vitin 2020, me opsion edhe për një tjetër vit.
E ardhmja e Mourinhos në stolin e Manchester United u vu në dyshim që nga momenti kur kjo skuadër u eliminua në 1/8-at e finaleve të Champions League nga Sevilla.
Tashmë për “djajtë e kuq” ka mbetur vetëm një mundësi për të shpëtuar sezonin, e ajo është fitorja e “FA Cup”.
Problemi për Mourinhon është se nuk diskutohet vetëm për rezultatet e ekipit, por edhe për sjelljen e tij. Së fundmi, 55-vjeçari ka lëshuar kritika të shumta në drejtim të futbollistëve të tij, e sidomos ndaj Luke Shaw, ndërkohë që është përfshirë në polemika edhe me Pogbanë.
Po kështu, Mourinho nuk ka ditur deri tani të marrë më të mirën nga Alexis Sanchez, të cilin Manchester United e mori në muajin janar nga Arsenali.
Top Channel