“Dezertorët” e VV-së kërkojnë drejtimin e komisioneve në Kuvend

19/03/2018 11:40

Grupi më i ri parlamentar në Kuvendin e Kosovës, i përbërë nga ligjvënësit që iu larguan javën e kaluar Lëvizjes Vetëvendosje, synon sipas “BIRN”-it të fokusohet te politikat zhvillimore e ato të mirëqenies sociale.

Kreu i tij, Dardan Sejdiu rrëfeu për rrjetin informativ se, problemet madhore sociale të Kosovës janë ato që i shqetësojnë më shumë pjesëtarët e këtij grupi, së bashku me ndryshimet e dinamikës parlamentare.

Pohimet e tij tregojnë se grupi i deputetëve të pavarur, “GDP” kërkon të shfaqet si mbrojtës i interesit të njerëzve të thjeshtë, duke u përqëndruar në çështje të prekshme si papunësia apo energjia e përballueshme elektrike.

Shkëputja e 12 deputetëve ishte goditja më e fundit që i jepej forcës politike të themeluar nga Albin Kurti, krisjes në radhët e së cilës u shpërfaqën hapur në muajin dhjetor me mesazhet ofenduese të Aida Dërgutit, e vazhduan më pas me një seri dorëheqjesh të figurave të rëndësishme të saj, përfshirë dhe vet kryetarin e Bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Largimi masiv, që dobëson – me tkurrjen e votave gati në përgjysmim, – qëndrimin e Vetëvendosjes kundështare të Demarkacionit, i sjell asaj një tjetër dëm të prekshëm. Ai ndan edhe “fetën e tortës” së komisioneve parlamentare.

Deputetët e VV-së kanë drejtuar deri më tani 4 komisione: atë të Legjislacionit, Arsimit, Mbikëqyrjes së AKI-së dhe Shëndetësisë.

I cituar nga mediet vendase, Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se, një komision tani do të drejtohet nga “GDP”-ja, e këtë e nënvizon edhe Sejdiu për “BIRN”-in, ku shprehet se grupi i tij do të kryesojë Komisionin e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Rregullorja e Kuvendit parashikon që secili grup parlamentar të ketë anëtarë nëpër komisione, e proporcioni në rastin e VV-së duket do të jetë 3 me një.

Grupi pa parti, i mbështetur nga shumica nuk e ka marrë ende vendimin e krijimit të një force të re politike, ndërsa nuk dihet aktualisht nëse ai do të votojë të martën pro marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, e cila nuk e merr prej 3 vitesh bekimin e Kuvendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA