Atmosfera festive ndihet sot kudo në rrugët dhe në sheshet e qytetit të Tiranës. Kryeqyteti ka veshur ngjyrat e festës, ndërkohë që koha e mirë dhe aktivitetet e shumta të parashikuara nga Bashkia e Tiranës kanë bërë që mijëra qytetarë të dalin shëtitje bashkë me familjet dhe miqtë.

Gjithashtu, Parku i Madh pret Ditën e Verës, duke qenë sot një nga destinacionet kryesore të qytetarëve të Tiranës. Varka dhe kanoe për argëtim, aktivitete sportive, panair kulinarie e muzikë do të gjallërojnë ditën e sotme.

Ndërkohë që në orën 10:00 nga sheshi “Skënderbej” drejt Liqenit Articial, po zhvillohet për herë të parë parada e karnavaleve ku fëmijë të shkollave të ndryshme të kryeqytetit do të parakalojnë me veshje të ndryshme.

Veç zbukurimeve me lulet që simbolizojnë largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës, ndërmarrjet bashkiake kanë veshur edhe të gjitha pemët përgjatë gjithë këtij bulevardi me ngjyra që krijojnë një atmosferë festive. Në rrugë të ndryshme të qytetit janë ngritur skena më të vogla për të vegjlit, por edhe për të rinjtë të cilët do të kenë mundësi që të ndjekin DJ dhe këngëtarët më të mirë të momentit të zhanreve të ndryshme muzikor.

Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar sot të gjithë qytetarët për Festën e Ditës së Verës, teksa ka postuar foto nga Pazari i Ri që shënon edhe 1-vjetorin e hapjes së tij. “Mirëmëngjes nga Pazari i Ri. 1 vit me xhevahirin e Tiranës që më shumë se treg, bëri bashkë një komunitet. Gëzuar Ditën e Verës”, shkruan Veliaj. Projekti transformues i Bashkisë së Tiranës, e ka kthyer zonën e Pazarit të Ri, nga një ngrehinë, në një hapësirë që funksionon 24 orë, ku paradite fokusi më i madh është te tregtia dhe pazari, kurse pasdite te kulinaria, restorantet rreth e rrotull dhe aktivitete të tjera kulturore, festive e panaire.

FOTO GALERI
9/9

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA