Java e 25-të e kategorisë Superiore ofron këtë të mërkurë përballje interesante në muajt e fundit të futbollit shqiptar. Skënderbeu kryesues dhe favoriti për të fituar titullin, do të luajë në Durrës ndaj Teutës, dy skuadra me synime diametralisht të kundërta.
“Kemi një përballje të vështirë, por që do të na duhet të hyjmë në fushë për të vijuar me rezultatet pozitive që kemi deri tani. Nuk e kemi ndjerë të paktën në aspektin negativ për të ulur dozën e motivimit”, u shpreh Ilir Daja, trajner i Skënderbeut.
Kukësi i vendit të dytë impenjohet në Gjirokastër ndaj Luftëtarit, një transfertë e sikletshme në qytetin e Gurtë që rikthen në mbrojtje Shametin dhe Allën.
“E njoh Luftëtarin dhe është një ekip shumë i organizuar që synon futboll ofensiv. Shameti dhe Alla janë rikthyer por nuk janë në 100% të formës. Kemi probleme në mbrojtje pasi pësojmë gola shumë shpejt ndërsa në sulm nuk kemi shumë opsione”, tha Peter Pacult, trajner i Kukësit.
Flamurtari vjen këtë mesjavë pas 3 humbjeve radhazi dhe vetëm fitorja është alternativë me Kamzën.
“Tre ndeshjet e fundit, personalisht kanë qenë të paparashikueshme. Gjykimet skandaloze gjatë gjithë vitit kundër nesh, por ne kemi qenë një skuadër shumë e fortë, shumë e stabilizuar”, u shpreh Shpëtim Duro, trajner i Flamurtarit.
Kjo është edhe panorama e plotë e ndeshjeve të javës së 25:
14:00 Luftëtari – Kukësi
14:00 Lushnja – Laçi
14:00 Vllaznia – Partizani
17:00 Flamurtari -Kamza
17:00 Teuta – Skënderbeu
Top Channel