Houston Rockets thellon krizën e San Antonio Spurs. Skuadra e Mike D’Antonit mposhti atë të Gregg Popovich në derbin e dytë radhazi teksan, 109-93, duke e nxjerrë San Antonion jashtë zonës së “play off”-eve.

Ajo e djeshmja ishte një përballje që nuk pati shumë histori, pasi Houstoni u tregua superior ndaj ekipit kundërshtar. James Harden e mbylli sfidën me 28 pikë, gjysmat e të cilave i shënoi nga vija e gjuajtjeve të lira, ndërkohë që rrëmbeu edhe 6 topa në tabelë e dha po aq asiste.

Mjaft mirë u paraqit edhe Chris Paul, me 18 pikë e 9 asiste. Për San Antonion, ku më i miri ishte Forbes me 14 pikë, kjo ishte disfata e 11 në 14 ndeshjet e fundit. Duke parë mungesat e Aldridge e Leonard, kjo skuadër sheh që po i vështirësohen ndjeshëm llogaritë për kualifikimin në fazën e “play off”-eve.

Fitore shënoi edhe Oklahoma, që mposhti Sacramenton me rezultatin 106-101. Kjo sfidë nuk kishte një konfigurim të qartë të skuadrës fituese deri në çastet e fundit, edhe pse ishte Oklahoma në udhëheqje të rezultatit pothuajse gjatë të gjithë kohës.

Russell Westbrook e mbylli sfidën me 17 pikë, 10 topa në tabelë e 11 asiste, por shënuesit më të mirë për Oklahomën ishin Carmelo Anthony e Paul George, me nga 21 pikë secili. Për Sacramenton, ai që spikati ishte Bogdan Bogdanoviç, me 19 pikë, 8 topa në tabelë e 3 asiste.

Vazhdon momenti magjik i Portlandit, që fitoi edhe ndaj Miami Heat. Në “Moda Center”, Portland e mposhti ekipin nga Florida me rezultatin 115-99, duke regjistruar fitoren e 10 radhazi. Pjesa e parë e kësaj sfide mes këtyre dy skuadrave ishte e ekuilibruar, por pas pushimit të saj, gjithçka shkoi në favor të “Trailblazers”-ave.

Për ta shkëlqeu Damian Lillard, me 32 pikë, 10 asiste e 5 topa në tabelë, ndërkohë që bënë një paraqitje shumë të mirë edhe Nurkiç, me 27 pikë e 16 topa në tabelë, e McCollum me 17 pikë. Për Miamin nuk mjaftuan 23 pikët e të zakonshmit Goran Dragiç për të evituar këtë humbje, që gjithsesi nuk ia rrezikon vendin e 8 në Konferencën e Lindjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA