Integriteti i kapiten Artur Meçollarit, një prej ekspertëve detarë në grupin e negociatorëve për marrëveshjen e detit me Greqinë, ka ngjallur për më shumë se 2 orë e gjysmë debate në Komisionin e Sigurisë mes anëtarëve të opozitës dhe ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.
Ministrja, gjatë gjithë debatit deklaroi pastërtinë e figurës dhe personalitetit të Meçollarit, fakt të cilin sipas saj, e ka vërtetuar edhe gjykata.
“Në gjykatë asnjëherë nuk është çuar asnjë provë kundër Meçollarit, nuk ka, dhe certifikatën e sigurisë ja ka dhënë ai që sot ju jep këto thashetheme për të”, tha ministrja Xhaçka.
Ish-shefi i Shtabit të Ushtrisë, gjeneral Xhemal Gjunkshi ka qenë i drejtpërdrejtë me pyetjet ndaj ministres Xhaçka.
“A ka dosje spiunazhi për Meçollarin dhe vendim për përgjim nga prokurori i përgjithshëm?”, ngriti pyetjen gjenerali.
“Nuk ekziston asnjë dosje për Meçollarin, nuk ka dosje. Ju zoti Noka dihet ta dini më mirë ketë si spiun i serbëve që jeni. Ai është marrë vetëm një herë në përgjim dhe duhet ta dini se thashethemet nuk janë prova”, tha ministrja.
Përveç akuzave për spiunazh, ish-shefi i Shtabit aludoi edhe për përjashtim të Meçollari gjatë kohës që ishte student në shkollën Skënderbej për vjedhje.
Gjunkshi: A keni dijeni për përjashtimin 1 vit të Meçollarit për vjedhje?
Xhaçka: Është për të ardhur keq që degraduat nga spiunazhi tek akuzat e vjedhjes për një batanije kur ishte student se kishte ftohtë.
Ndërkohë, anëtarët e opozitës në Komisionin e Sigurisë deklaruar se për çështjen e Meçollarit do të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor.
Top Channel