“Komunizmi ishte ideologjia e urrejtjes patologjike ndaj çdo ideje të ndryshme”, kështu shkruhet në Memorialin Kombëtar të Internim-dëbimeve të vendosur në Lushnje. Rrethi i Lushnjes ka pasur numrin më të madh të qendrave të internimit në Shqipëri, 14 gjithsej.

Udhëtojmë për Saver, drejt asaj që quhet “Lagjja e Barrakave”. Takohemi me Lavdi Kabën. Babanë ia internuan në këtë fshat në vitin 1960 nga Peshkopia, pasi vëllai i tij u arratis. Lavdiu vet është lindur këtu, sot është 52 vjeç dhe i papunë.

Kur e pyesim se çfarë ka përfituar deri më tani, nga gjithë këto shkresa institucionesh, ai të përgjigjet:

“Asnjë lloj gjëje. Ja, veç letra. Ja kjo është shtëpia (e shkon dhe rrëzon një pjesë të murit që ishte gati duke rënë, duke zbuluar kallambat). Kjo është qeveria”.

Çatia e sajuar pikon sa herë bie shi, ngrohen me batanije dhe në tenxhere ka fasule të bëra prej ditësh.

“Uuu, çfarë mishi moj. I pe ti frigoriferët e prishur aty. Lekët për dritat i duan”, tha Lavdiu.

Lavdiu ka dy fëmijë, vajza në shkollë dhe djali në kërkim të një pune.

“Janë lindur në spital. Në spital, se nuk janë lindur si puna ime, këtu në barrake”, thotë Lavdiu.

Po çfarë ka ndryshuar nga koha e atëhershme e internimit, deri më tani?

“Asnjë gjë, madje më mirë ishte në atë kohë, se punoje e merrje lekë, haje. Mos më ngacmo (qan)”, thotë ai.

Luftës së tij për mbijetesë i shtohen edhe problemet shëndetësore, zemra, tensioni, diabeti. A i dëgjon ish-i internuari ato që thotë politika përditë?

“Ata s’i dëgjojnë për vete, jo t’i dëgjoj unë. Mua këtej më hyjnë e këtej më dalin, janë gënjeshtra. Bëj letra, bëj letra. Ç’i dua, mua nuk më hanë bukë në asnjë vend. Çfarë shteti moj, ku ka shtet këtu. Më vjen keq që e përmendni fjalën shtet”, thotë Lavdiu.

Lavdi Kaba ka statusin e të përndjekurit politik dhe atë të të pastrehut.

“Disa të rrinë atje në karrige të bëjnë qejf, ndërsa ne në barraka, se ka luftuar baba për ato kokat e shtetit atje”, tha Lavdiu.

Top Channel