Sulm i dyfishtë në Burkina Faso, pranë Ambasadës franceze

02/03/2018 13:19

Të shtëna me armë dhe një shpërthim i fuqishëm janë dëgjuar pranë selisë së ushtrisë dhe Ambasadës së Francës në kryeqytetin e Burkina Fasos, Ouagadougou.

Dëshmitarët nga vendngjarja kanë raportuar të kenë vërejtur disa persona të armatosur që dilnin nga një automjet dhe hapnin zjarr, përpara se t’i drejtoheshin selisë diplomatike franceze.

“Jemi nën sulm”, shkroi menjëherë në “Twitter”, ambasadori francez në vendin afrikan.

Pamjet nga vendngjarja treguan një re të dendur tymi që ngrihej në qiell. Ende nuk dihet se kush fshihet pas këtij akti të dhunshëm.

Policia kombëtare lëshoi një deklaratë ku thoshte se forcat speciale kanë hyrë në veprim. Ndërsa përmes një deklarate në “Facebook”, Ambasada franceze shtonte se ende nuk dihet se kush ishte objektivi i sulmit.

Në fakt, rrethanat tregojnë për një sulm të dyfishtë, pasi si selia qendrore ushtarake, ashtu edhe ambasada ndodhen vetëm një kilometër distancë nga njëra-tjetra. Ndërkohë, edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin e Burkina Fasos këshilloi njerëzit të gjenin strehime të sigurta.

Ouagadougou ka përjetuar dy sulme të fuqishme nga militantët islamikë gjatë dy viteve të fundit. Vendi afrikano-perëndimor u bë dëshmitar i një grushti shteti të dështuar në vitin 2015. Gjyqi për dhjetëra të akuzuar nisi më herët gjatë kësaj jave, por u pezullua sepse avokatët mbrojtës dolën në protestë kundër gjykatës ushtarake.

Top Channel