Shënjestra e raketave të Putinit ishte Komanda amerikane në Florida

02/03/2018 11:05

I gjithë shtypi ndërkombëtar u fokusua të enjten te deklarata e Vladimir Putinit mbi raketën e re bërthamore të pathyeshme të Rusisë, siç e quajti vet Putini.

Por në videoprezantimin e tij, “The Guardian” vuri re një detaj interesant: raketat e paraqitura e kishin drejtimin te gjiri i Tampas në Florida, aty ku ndodhet selia e Komandës Qendrore Ushtarake amerikane.

Analistët ushtarakë e kanë konsideruar prej kohësh Tampan si shënjestren kryesore të çdo sulmi bërthamor ndaj Shteteve të Bashkuara, megjithatë kryebashkiaku i saj Bob Buckhorn nuk shfaqet i shqetësuar nga fakti që “si rastësisht”, edhe shefi i Kremlinit aty e niste ilustrimin e tij.

Në fjalimin e përvitshëm për gjendjen e vendit, i 14-i dhe i fundit para zgjedhjeve të 18 marsit që pritet t’i fitojë lehtë, presidenti rus tha të enjten se “përparësia e tij kryesore është të mbrojë popullin rus dhe të përmirësojë mirëqenien e tij”.

Megjithatë, ajo që tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare nuk ishte premtimi për të shtuar fondet për lejen e lindjes, spitalet dhe kujdesin shëndetësor për fëmijët, apo për zhvillimin urban dhe arsimin, por theksi që vuri me fraza të guximshme te forcimi ushtarak, e veçanërisht fuqia bërthamore.

Njoftimi i befasishëm për prodhimin e një rakete të re, që nuk mund të interceptohet nga sistemet amerikane ajrore të mbrojtjes rrezikon të trondisë stabilitetin strategjik dhe të shkaktojë një luftë të re armësh, sipas ish-kryeministrit suedez, Carl Bildt.

“Nëse do të kishte pjekuri sot në botë, duhet të kishim tani një fazë të re bisedimesh për një stabilitet strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, pasuar nga marrëveshje konkrete”, shkroi ai në “Twitter”.

Top Channel