Berlusconi “zgjedh” kryeministrin. Nëse fiton zgjedhjet, propozon Antonio Tajanin

27/02/2018 14:32

Silvio Berlusconi e bëri të qartë se, nëse blloku i tij i qendrës së djathtë fiton zgjedhjet më 4 mars, emri që do të propozojë për kryeministër do të jetë ai i presidentit aktual të Parlamentit Europian, Antonio Tajani.

Ish-kreu i ekzekutivit e ka ndarë mendjen, edhe pse vet Tajani nuk ia ka dhënë ende “dritën jeshile”.

“Për shkak të pozicionit të tij të rëndësishëm, më ka kërkuar që emrin t’ia paraqes vetëm atëherë kur të më japë autorizimin”, sqaron Berlusconi, duke e lënë megjithatë të nënkuptohet qartazi se ish-zëdhënësi i vet do ta merrte miratimin e “kavaljerit”.

“Kushdo mund ta kuptojë se ai do të ishte një kandidat i shkëlqyer. Është president i institucionit europian të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët e bllokut, pra atij më të rëndësishëm”, argumenton Berlusconi.

“Mungon vetëm ‘OK’-i i Tajanit”, shtoi kreu i “Forza Italia”-s në intervistën dhënë radios shtetërore.

Tajani vet nuk ka bërë ende asnjë koment, por javët e fundit, kreu i PE-së e ka vizituar shpesh Italinë, duke u shfaqur në mitingjet e fushatës së aleancës së qendrës së djathtë.

Berlusconi ka qenë 4 herë kryeministër i Italisë, por aktualisht nuk i lejohet të mbajë poste publike prej dënimit në vitin 2013 për evazion fiskal.

Aleanca e drejtuar prej tij, ku përfshihet dhe “Lega Nord”, ka rënë dakord që nëse fiton shumicën absolute të dielën, zgjedhjen e kryeministrit do t’ia lërë në duar partisë që do të ketë fituar më shumë vota. Që të zyrtarizohet, emri i shefit të ri të qeverisë duhet të marre edhe pëlqimin e kreut të shtetit, Sergio Mattarella.

Top Channel