Plehrat largojnë turistët; Fshati Lin i kthen kurrizin liqenit të Ohrit

08/02/2018 12:07

Fshati Lin në Pogradec ka potenciale të mëdha për turizëm për shkak të pozicionit në të cilin ndodhet. Por në mënyrë paradoksale fshati i ka kthyer kurrizin liqenit dhe ndotja në bregun e tij është shumë e madhe. 

Në antikitet quhej Liqeni i Dritës ose Lyhnidas. Atë emër të lashtë e ka trashëguar vetëm ky fshat i vogël në anë të liqenit të Ohrit. Fshati Lin ka pranë tij një nga mozaikët më të vjetër të gjithë rajonit që tregon se zona ka qenë e populluar dhe me civilizim të lartë.

E gjithë kjo histori nuk ka vlejtur aspak për banorët e Linit të cilët shumë mirë mund të jetonin falë turizmit ashtu si dhe zonat e ngjashme me to përtej liqenit. Por këtu nuk mund të flitet ende për turizëm dhe problemi më i madh është ndotja. Bregu i liqenit shërben për të vendosur kasollet e bagëtive dhe ujërat për të mbledhur mbeturinat dhe shkarkimet e ujërave të zeza të fshatit.

Në Lin jetojnë 1200 banorë të cilët të ardhurat e tyre i kanë mbështetur tek blegtoria dhe bujqësia e pakët ndërsa peshkimi thuajse nuk jep më asnjë përfitim ekonomik. Bizneset në funksion të turizmit thuajse mungojnë në këtë fshat, por edhe ata që janë përpjekur t’i përkushtohen turizmit në stinën e dimrit nuk regjistrojnë asnjë turist.

Fshati ka një strukturë të organizuar të banesave në brendësi të tij çka e bën edhe më interesant, por kjo nuk është e mjaftueshme për t’u përkthyer në atraksion për turistët.

“Jo gjithmonë zgjidhjen mund ta gjejnë vetëm banorët. Ata janë mposhtur nga varfëria dhe mungesa e perspektives. Ashtu si dhe në rastin e Tushemishtit do të duhej një projekt rehabilitimi për t’i kthyer këto banesa të përshtatshme për të pritur turistë. Për të mësuar banorët t’u shërbejnë dhe për t’i kthyer Linit kuptimin e vërtetë të emrit që ka si “Liqen i Dritës””, shprehet Dhorjela Çule, Lin, Pogradec.

Top Channel