Paraditen e të martës deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari denoncoi se është emëruar drejtor i Ujitjes dhe Kullimit për Korçën një person i cili ka vendim të formës së prerë.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi ka reaguar menjëherë. Në një njoftim për shtyp bëhet e ditur se ministri vendosi largimin e tij të menjëhershëm nga detyra, pasi në momentin e emërimit të tij nuk është marrë dijeni për këtë fakt.
“Edi Rama emëron Drejtorin e Përgjithshëm të Bordit të Kullimit për rajonin Korçë, Elbasan, Berat shtetasin e dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Rrethit Gjygjësor Korcë, Nexhip Merolli. Kryeministri i Drogës riciklon të dënuarit në poste kyçe në administratën publike. Bashkëngjitur gjeni vendimin e Gjykatës dhe urdhërin e emërimit. Kjo është Rilindja e paligjshmërisë!”, shkruante Braimllari në Facebook duke postuar dhe foto të vendimit të gjykatës dhe emërimit.
Ndërsa ministri Peleshi thotë se qeveria nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë lëkundje në mbrojtjen e pastërtisë së figurës së çdo zyrtari.
“Duke marrë në konsideratë faktin e bërë publik, se drejtori i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit për rajonin Korcë-Elbasan-Berat, rezulton fajtor me një vendim të formës së prerë (fakt për të cilin nuk është marrë dijeni në momentin e emërimit të tij) Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, vendosi largimin e tij të menjëhershëm nga detyra. Qeveria e Shqiperisë s’ka pasur, s’ka dhe s’do të ketë asnjë lëkundje në mbrojtjen e pastertisë së figurës, së çdo zyrtari në varësinë e pushtetit ekzekutiv. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, falenderon dhe inkurajon çdokënd që hedh dritë mbi fakte të kësaj natyre, në funksion të moscënimit të figurës së zyrtarit të shtetit nga asnjë hije e të shkuarës në raport me ligjin”, njofton MBZHR.
Top Channel