Mbyllja e qeverisë amerikane, ende s’ka një marrëveshje të re

22/01/2018 10:46

Qindra mijëra punëtorë federalë në Shtetet e Bashkuara nuk ishin në gjendje të paraqiteshin në punë të hënën, ndërsa Senati amerikan lufton për të gjetur një zgjidhje, e cila t’i japë fund mbylljes së qeverisë.

Një pjesë e këtyre njerëzve nuk do të paguhen derisa të gjendet një rrugëdalje nga kjo situatë. As seanca e jashtëzakonshme e Senatit pas mesnatës nuk mundi të prodhojë një marrëveshje mes demokratëve dhe republikanëve.

Pika kryesore e fërkimit për ta vazhdon të mbetet emigracioni. Ngërçi i administratës nuk prek shërbimet thelbësore, ama vende të famshme si Statuja e Lirisë po i vuajnë pasojat e saj.

Monumenti u mbyll të dielën, megjithatë guvernatori i Nju Jorkut, Andrew Cuomo tha se do të zhytej në fonde shtetërore për të paguar faturën e punësimit të përditshëm dhe për të rihapur vendin turistik popullor.

Autorizimi për shpenzimet qeveritare skadoi të premten në mesnatë, duke filluar kështu ngrirjen e funksioneve jothelbësore të qeverisë federale. Ligjvënësit amerikanë kanë mes tyre mosmarrëveshje të thella mbi një sërë çështjesh, siç janë shpenzimet për mbrojtjen, por “molla e sherrit” mbetet më së shumti emigracioni, e në veçanti trajtimi ligjor i rreth 800 mijë personave pa dokumente që janë sjellë në SHBA kur ishin fëmijë.

Demokratët kërkojnë një votim të menjëhershëm në Kongres për një paketë reformimi, e cila t’i mbrojë këta emigrantë nga deportimi. Por republikanët këmbëngulin se ata nuk do të përballen me rrezikun e dëbimit deri në muajin mars, kur skadon programi “DACA”.

Top Channel