Për të tretin vit radhazi në kryeqytet u zhvillua gara e “Shtegut të Gjelbër”. Nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe të Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, mbi 100 çiklistë amatorë dhe profesionistë, të apasionuar me natyrën dhe sportin, si dhe grupe të rinjsh vullnetarë, u bënë pjesë e itinerarit çiklistik.
Garës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në nisje të saj tha se ky aktivitet sportiv synon ndërgjegjësimin e qytetarëve se biçikleta është një zgjidhje e shëndetshme në një qytet si Tirana. Veliaj theksoi se tashmë kjo garë është kthyer në një traditë të bukur për kryeqytetin, duke e përfshirë Tiranën në kalendarin e të apasionuarve pas këtij sporti. “Më vjen mirë që jeni regjistruar rreth 100 profesionistë. Ajo që më pëlqen shumë është e kemi futur Tiranën në një kalendar. Kur një gjë ndodh njëherë, është një organizim i bukur, po kur një gjë ndodh 2 herë, 3 herë, 4 herë, do të thotë që po stabilizohet një traditë dhe besoj që ajo që është më e rëndësishme për qytetin tonë është të stabilizojmë një traditë. Shtegu i Gjelbër është një traditë. Maratona tani do të ketë vitin e tretë në Tetor dhe është gjithashtu një traditë. Besoj është mënyra fantastike për të inkurajuar, jo vetëm ata që janë profesionistë, por edhe ata si puna ime që janë amatorë”, deklaroi Veliaj.
Ai nënvizoi se prioritet i punës së Bashkisë së Tiranës do të jetë ndërtimi i 10 km korsi për biçikleta, që jo vetëm do të garantojë sigurinë e çiklistëve, por në të njëjtën kohë do të lehtësojë edhe qarkullimin në kryeqytet. “Nëse do të shikoni edhe rrugës për të shkuar tek Shtegu i Gjelbër nga lapidari e pastaj pjesën tjetër do të shikoni që bashkia po asfalton dhe pastaj do të vendosë edhe sinjalistikë për ata që ndoshta nuk janë profesionistë, por që janë ata që do të përdorin biçikletën në Tiranë. Këtë vit do të kemi 10 km rrugë, korsi biçikletash të mbrojtur. Do të thotë që makina nuk do të mund të hyjë në korsinë e biçikletave që të shmangim skenat e shëmtuara që kemi parë. Unë besoj që nëse e kthejmë në sfidë, siç kemi fituar shumë beteja në këtë qytet ne mund ta kthejmë 2018 vitin ku Tirana iu rikthye biçikletës. Në qoftë se këtë monopol le të themi e ka pasur deri në vitet ‘90-‘91, jam i bindur që mund ta kthejmë sepse është pjesë e kulturës tonë biçikleta”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku siguroi se ky vit do të jetë fantastik për të gjithë ata që do të përdorin biçikletën dhe për të inkurajuar të rinjtë të merren me sport. “Është momenti ideal ku secili të vendosë që 2018 mund të jetë një vit fantastik për t’u marrë me sport. Mund të jetë çiklizmi në natyrë, mund të jetë çiklizmi në rrugë, mund të jetë maratona, mund të jetë një sport. Problemi numër 1 i qyteteve për shëndetin është obeziteti dhe fakti që ushqehemi keq, kemi jetë sedentare. Shpresoj që do të promovojmë qytetin, Tiranën, dhe besoj që vitin tjetër do të jemi edhe më të shumtë dhe 2018-n do ta kthejmë në një vit fantastik për të gjithë ata që do të përdorin biçikletën”, tha ai.
Pjesëmarrësit në edicionin e 3-të të “Shtegut të Gjelbërt” përshkruan një itinerar prej 63 km duke nisur nga Sheshi “Skënderbej”, përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, për të vijuar më pas nëpër Kodrat e Liqenit, drejt Kurorës së gjelbër të kryeqytetit dhe për të mbërritur në Petrelë, ku ishte dhe “Check-pointi”-i, apo stacioni i parë i kronometrimit. Stacioni i dytë ishte ai i Durishtit, i ndjekur më pas nga “Check-point”-i i kilometrit 25, përgjatë rrugës Tiranë-Elbasan, e për të vijuar me stacionet e tjera të kronometrimit në Kakunjë, në Koçaj pranë Baldushkut, në Rodhje dhe për ta mbyllur kronometrimin në finishin e Mulletit, ndërsa mbërritja për publikun ishte sërish Sheshi “Skënderbej” në Tiranë.
Top Channel