Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku është takuar me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, ku sipas njoftimit zyrtar të organit të akuzës në fokus të bisedës ka qënë vetingu në sistmein e drejtësisë.
“Në takimin e zhvilluar ditën e Premte (dt. 29.12.2017), në qendër të diskutimit ishte procesi i Vetingut në sistemin e drejtësisë, si edhe i njëjti proces i pritshëm edhe në radhët e Policisë së Shtetit. Dy titullarët shprehën dakordësinë e plotë se këto procese kërkojnë një komunikim të vazhdueshëm dhe intensiv, me qëllim realizimin sa më të plotë dhe të shpejtë të pastrimit të institucioneve të sigurisë dhe të sistemit të drejtësisë nga zyrtarët me probleme në integritetin profesional dhe personal”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.
Në vijim të takimit, Marku ka vënë theksin tek rëndësia specifike që ka bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme në forcimin e sigurisë në vend, si edhe në pëmbushjen e prioriteteve të vendit për integrimin në Bashkimin Europian.
Prokurori i Përgjithshëm u shpreh se do të angazhohet maksimalisht për koordinimin ndërinstucional, me qëllim zhvillimin me sukses të hetimeve të rëndësishme, si edhe të çdo procedimi penal me impakt të lartë shoqëror.
Xhafaj nga ana e tij garantoi se institucioni që ai drejton, si edhe Policia e Shtetit, do të vijojnë forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit për rritjen e hetimeve proaktive, ku prioritet do të jetë lufta kundër korrupsionit.
Top Channel