Vitali Mutko nuk është më president i Federatës Ruse të Futbollit, të paktën për momentin. Mutko dha dorëheqjen nga detyra e tij për 6 muaj për shkak të skandalit të madh të dopingut që shpërtheu në sportin rus ku rezultoi se të përfshirë ishin edhe autoritetet shtetërore ruse.
Vitali Mutko doli në një konferencë shtypi ku theksoi së për 6 muajt e ardhshëm në postin e tij do të jetë Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ruse të Futbollit Alexander Alaev.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar e dënoi Vitaly Mutkon me përjashtim përjetë nga Lojërat Olimpike pikërisht për shkak të këtij skandali, vendim që iu bashkangjit atij për përjashtim edhe të sportistëve rusë nga Lojërat Olimpike Dimërore të Pyeongchangut në shkurt të 2018-s.
Mutko u dënua pasi u konsiderua si përgjegjësi kryesor i skandalit të dopingut në Lojërat Olimpike Dimërore të Sochit në 2014. Kreu i qeverisë ruse të Futbollit vendosi që të apelojë këtë vendim të IOC në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë dhe për këtë arsye ai vendosi që të japë dorëheqjen e përkohshme nga posti i tij.
Por jo vetëm kaq, Mutko deklaroi se është i gatshëm që të largohet edhe nga detyra e presidentit të Komitetit Organizativ të Botërorit të Futbollit, por për këtë fjalën e fundit e ka presidenti rus Vladimir Putin
Top Channel