39 persona mbetën të plagosur, tetë prej të cilëve rëndë, nga shpërthimi i qindra fishekzjarrëve në qytetin verior kuban Remedios.
Ngjarja e rëndë u raportua Ditën e Krishtlindjes në të ashtuquajturën “zonë të zjarrit” brenda lagjes San Salvador. Mendohet se depoja ku ndodheshin fishekzjarrët është përfshire nga flakët për shkak të shkëndijave të shkaktuara nga disa shpërthime elementesh të tjera më të vogla piroteknike.
Detajet mbi incidentin janë të pakta, por mediat lokale thonë se specialistët e Ministrisë së Brendshme e kanë nisur sakaq një hetim për zbardhjen e fatkeqësisë. Të lënduarit janë shtruar në dy spitale të provincës së Villa Clara. 27 prej tyre duhen mbajtur nën kontroll nga mjekët ndërsa për tre fëmijë dhe 5 të rritur situata është ekstremisht kritike prej djegieve të mëdha që kanë në trup.
“Parrandas” siç njihen nga vendasit, janë kremtimet popullore të një tradite qindra vjeçare, e cila vjen në jetë në Remedios mbrëmjen e 24 Dhjetorit. Dy lagje të saj, El Salvador dhe El Carmen, sfidojnë njëra-tjetrën me gara që përfshijnë muzikën, kërcimin dhe fishekzjarrët.
“Parrandas de Remedios” janë praktikisht një festë kulturore dhe fokloristike kubane e njohur si trashëgimi kombëtare me fillesa në 1820 dhe shtrirje më pas edhe në qytete të tjera të shtetit-ishull. Edhe pse mbeten pjesë e pandashme e festimeve të mëdha, fishekzjarret kanë edhe pjesën e vet të rrezikut, i cili nis që nga dëmet strukturore të ambientit ku mbahen në rast shpërthimi e deri tek ato fizike për individin, ku përfshihen plagët dhe djegiet.
Top Channel