Austri, protesta kundër ekstremit të djathtë në qeveri

18/12/2017 17:52

Mijëra protestues u mblodhën në qendër të Vjenës për të demonstruar kundër koalicionit të ri qeveritar, të përbërë nga konservatorët dhe ekstremi i djathtë, pikërisht ndërsa betoheshin kryeministri dhe ministrat e rinj.

Mes sloganeve që binin në sy ishte një mjaft domethënës: Mos i lejoni nazistët të qeverisin dhe kurrë mos i lejoni të marshojnë.

Kundërshtimi popullor nisi pasi pjesë e koalicionit u bë Partia e Lirisë, e vetmja parti e ekstremit të djathtë në BE që është në pushtet.

Partia e Lirisë dhe Partia e Popullit e kryeministrit Sebastian Kurz kanë në plan që të implementojnë rregulla më të rrepta për azilkërkuesit, pasi emigracioni u shfaq si një shqetësim shumë i madh për votuesit austriakë.

Koalicioni premton se Austria do të qëndrojë në Europë, me Kurz, udhëheqësin më të ri të kontinentit.

Prania policore ishte mjaft e madhe rreth pallatit “Hofbug”, ku u betua qeveria e re, ndërsa mijëra njerëz protestonin në rrugë kundër saj. Shumë prej tyre thanë se është e papranueshme që një parti naziste të jetë në qeveri, duke konsideruar të shkuarën e Austrisë dhe Europës.

Për më tepër, Partia e Lirisë ka marrë poste mjaft të rëndësishme në qeveri, si Ministrinë e Mbrojtjes dhe atë të Brendshnme, madje do të lejohet të zgjedhë edhe ministrin e ri të Jashtëm. Kjo parti u formua nga ish-nazistë në vitet 1950, por mohon çdo lidhje me ideologjinë naziste, gjë që nuk ka qetësuar aspak protestuesit e shumtë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA