Lulzim Basha i është përgjigjur ftesës së Edi Ramës për një pakt për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të vendit.

“I vetmi “pakt” që ka nevojë Shqipëria është pakti për Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Kushtet që BE ka vendour për Shqipërinë janë të qarta: zbatimi i reformës në drejtësi dhe vetingu; lufta kundër drogës dhe krimit; lufta kundër korrupsionit; reforma e administratës publike; respektimi i të drejtave themelore të njeriut”, deklaron Basha.

Në përgjigjen e tij, Basha rendit katër pika që Partia Demokratike i mbështet pa asnjë rezervë.

E para thotë Basha, është zhbllokimi i reformës në drejtësi dhe ngritja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që do t’i hapte rrugë krijimit të SPAK-ut, Byrosë së Hetimit dhe zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm.

Së dyti, Basha thotë se PD mbështet hetimin e çdo zyrtari dhe qytetari të thjeshtë për lidhjet me trafikun e drogës.

Ne mbështesim heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit dhe hetimin e tij si çdo qytetar i thjeshtë për lidhjet me trafikun e drogës. Mbështesim pa kushte hetimin e të gjithë zyrtarëve të lidhur me krimin nga Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini tek shefat e policisë. Mbështesim arrestimin dhe hetimin e grupeve kriminale nga Habilajt tek Balilajt”, thotë ai.

E treta, Basha deklaron se është mbështetja për hetimin kundër korrupsionit, duke përmendur këtu koncesionet në shëndetësi, inceneratorët, PPP dhe të tjera.

“Ne mbështesim pa asnjë rezervë të drejtat e qyterarëve, liritë dhe pronën e tyre kundër ndërhyrjeve arbitrare”, rendit Basha si pikë të katërt.

“Ne do japim kontributin tonë në Kuvend dhe në institucione për këtë gjë. Por detyra jonë është të bëjmë opozitë, çfarë është rol themelor dhe i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë, kufizimin e pushtetit dhe mirëqeverisjen e vendit. Shqipëria nuk duhet të ketë demokraci fasadë dhe nuk duhet të ketë partitë dhe tavolinat partiake mbi Kushtetutën dhe mbi institucionet”, mbyll reagimin e tij, kreu i PD-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA