Ministri i Bujqësisë paralajmëroi nisjen e investimeve për parandalimin e përmbytjeve në të ardhmen. Sipas Niko Peleshit mënyra më e mirë për të parandaluar përmbytjet është investimi për sistemet e kullimit.
Shembulli, thotë Peleshi, u dha në shumë zona kryesisht pranë lumenjve që nuk u prekën nga përmbytjet, për shkak të investimeve të bëra në këtë drejtim.
“Tani nuk është momenti për të mburrur punën e bërë, se s’kemi dalë 100 për qind nga emergjenca, por duhet thënë që investimet në kullim, në parandalim e përmbytjeve, investimet që bënë bashkitë të mbështetura me ekskavatorë, por edhe me mjete financiare dhe mbi të gjitha me decentralizimin e këtij funksioni tek bashkitë, provuan që të jenë të vlefshme, të dobishme”, thotë Peleshi.
Sipas Ministrit të Bujqësisë, institucioni i prefektit në të 12 qarqet duhet të kordinojë projektet që duhen bërë për parandalimin e përmbytjeve në të ardhmen.
“E keqja është që ne, historikisht jemi marrë me pasojat dhe nuk jemi marrë me shkakun. Tani duhet të merremi me shkakun. Kështu, që të nxjerrim mësimet, leksionet që marrim nga kjo përmbytje, ku i kemi pikat e dobëta, pikat e nxehta për ndërhyrje. Këtë rol duhet ta marrë prefekti, rolin e koordimit të gjithë institucioneve, natyrisht dhe ministria jonë, Ministria e Bujqësisë, për t’i studiuar dhe për t’i kthyer në projekte, të gjitha nevojat për ndërhyrje. Sepse, koha na ka treguar, që vërtet ne ankohemi për fonde, por koha ka treguar, kur ke projektet, fondet gjenden”, deklaron ai.
Top Channel