Bashkia e Tiranës dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit vijojnë me projektin e mbjelljes së pemëve, si masë për të shmangur rrëshqitjet e dherave dhe fatkeqësitë natyrore. 200 pemë të tjera i janë shtuar pjesës jugore të Unazës së Madhe, pjesë e pyllit orbital.
“Siç e keni parë, në shumë zona rurale, nga përmbytjet dhe shirat e fundit, kanë rrëshqitur kodrat, aty ku është prerë një pemë, aty ku janë hequr shkurret, aty ku është zhdukur bimësia dhe një pjesë e madhe e erozionit në zonat rurale shkaktohet nga tahmaja për të prerë pemët. Pra, për të zgjidhur punë për një orë, shkatërrojmë punën e një jete. Ndaj, dua t’i ftoj gjithë qytetarët, nuk ka nevojë të bëhemi gjithologë, kush do të bëjë diçka konkrete mjafton të mbjellë një pemë, një shkurre, mjafton të mos presë ato që ekzistojnë dhe vetëm kështu mundohemi t’i kompensojmë natyrës dëmin që i kemi bërë gjithë këto vite”, tha Veliaj.
Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës do të vazhdojë deri në pranverë me mbjelljen e pemëve ndërsa ftoi qytetarët ti bashkohen gjelbërimit të kryeqytetit.
“I ftoj të gjithë administratorët e pallateve, ndërlidhësit e njësive administrative, nëse gjejnë qoftë edhe 1 m2 bosh ku mund të mbjellin një pemë, le ta bëjnë këtë, sepse është mënyra më e mirë sesi secili i kthen kusurin natyrës për të gjitha padrejtësitë që i kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe. Ne do të vazhdojmë gjatë gjithë stinës së dimrit, edhe në janar, shkurt dhe mars, që të sigurohemi që maksimizojmë kohën e mbjelljeve. Ndaj, kush e ndjen për Shqipërinë, për Tiranën, për vendin e tij, le të japë një kontribut konkret, ose të mbjellë një pemë, ose të na e dhurojë që ta mbjellim ne”, u shpreh ai.
Top Channel