Ish-presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh është vrarë gjatë luftimeve të fundit me ish-aleatët e tij.
Mediet e kontrolluara prej lëvizjes rebele Houthi citojnë zyrtarë të kenë deklaruar “fundin e krizës së milicisë tradhtare me vrasjen e udhëheqësit të saj”.
Burime nga partia e Kongresit Popullor, të ish-presidentit Saleh kanë konfirmuar gjithashtu vdekjen e tij. Pamje dhe video që kanë qarkulluar “online” tregojnë trupin e një burri që i ngjan Salehut, me një plagë të rëndë në kokë.
Deri javën e kaluar, mbështetësit e Saleh kanë luftuar së bashku me rebelët Houthi në një luftë kundër presidentit aktual të Jemenit, Abdrabbuh Mansour Hadi. Por, tensionet afatgjata politike dhe grindjet për kontrollin e xhamisë kryesore në kryeqytetin e kontrolluar prej rebelëve, Sanaa, detyruan luftime të ashpra që kanë lënë mbi 125 persona të vdekur dhe 238 të plagosur që prej mesnatës së të mërkurës.
Të shtunën, Saleh ofroi “kthim faqeje” në lidhje me raportet me koalicionin e udhëhequr nga sauditët në mbështetje të presidentit Hadi, nëse ky koalicion do të ndalte sulmet në Jemen dhe do t’i jepte fund bllokadës therëse ndaj vendit.
Koalicioni dhe qeveria e Hadit mirëpriti komentet, por rebelët Houthi akuzuan Salehun se po kryente një “puç” kundër një aleance, në të cilën ai nuk kishte besuar kurrë.
Më shumë se 8.670 persona kanë vdekur dhe rreth 50 mijë të tjerë janë plagosur, që kur koalicioni i udhëhequr nga sauditët ndërhyri në luftën civile të Jemenit në mars të vitit 2015, sipas Kombeve të Bashkuara.
Konflikti dhe bllokada ndaj vendit ka lënë gjithashtu rreth 20.7 milionë banorë në nevojë të skajshme për ndihma humanitare, duke krijuar atë që mund të konsiderohet si emergjenca më e madhe për ushqim në botë, e shoqëruar edhe nga shpërthimi i kolerës që besohet të ketë shkaktuar të paktën 2.211 njerëz që prej prillit.
Top Channel