Papa Françesku shmang termin “Rohingya” në Mianmar

28/11/2017 17:53

Papa Françesku ka mbajtur një fjalim të rëndësishëm në Mianmar, ku kërkoi respekt për çdo grup etnik, por pa iu referuar në mënyrë specifike komunitetit mysliman “rohingya”.

Grupet e të drejtave të njeriut i kishin kërkuar Papës të përdorte termin në mbështetje të komunitetit. Sidoqoftë, Kisha Katolike në vend e ka këshilluar se përdorimi i termit mund të shkaktonte probleme për katolikët e Mianmarit.

Vendi është akuzuar për spastrim etnik me 620 mijë “rohingya” që janë larguar drejt Bangladeshit, që prej muajit gusht. Qeveria e Mianmarit refuzon termin “rohingya”, duke e quajtur komunitetin si të ardhur nga Bangladeshi.

Ajo thotë se ata kanë emigruar ilegalisht nga Bangladeshi, ndaj nuk duhet të listohen si një nga grupet etnike të vendit. Edhe pse nuk iu referua drejtpërdrejt “rohingya”-ve, fjalimi i Papës ishte një mbrojtje e fuqishme për të drejtat etnike.

“E ardhmja e Mianmarit duhet të jetë paqja. Një paqe e bazuar te respekti për dinjitetin dhe të drejtat e çdo pjesëtari të shoqërisë. Respekt për çdo grup etnik dhe identitetin e tij, respektimi për sundimin e ligjit dhe respekti për një rend demokratik, që i mundëson çdo individi dhe grupi, pa përjashtuar askënd, të ofrojë kontributin e tij legjitim për të mirën e përbashkët”, tha Papa.

Papa Françesku shtoi se thesari më i madh i Mianmarit janë njerëzit e tij dhe se ata kanë vuajtur e vazhdojnë të vuajnë nga konfliktet civile dhe armiqësitë që kanë zgjatur shumë gjatë dhe kanë krijuar ndasi të thella.

Papa Françesku e ka përdorur termin “rohingya” në të shkuarën, në mbështetje të atyre që i ka quajtur vëllezër dhe motra “rohingya”. Sidoqoftë, në Mianmar, Papa është takuar edhe me një murg budist ultranacionalist dhe komandantin e Forcave të Armatosura, e komentet e tij në këto takime mund të kenë qenë më të drejtpërdrejta.

Top Channel