Gazetari i Top Channel, Marin Mema është nderuar me çmimin “Hasan Prishtina” nga shoqata per kthimin e shqiptarëve të shpërngulur nga trojet e tyre.

Në ceremoninë e veçantë të organizuar në Prishtinë mori pjesë kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili e vuri theksin tek domosdoshmëria për bashkimin dhe forcimin e faktorit shqiptar.

“Marini nuk është nga ata burrat ose zonjat në moshë, nuk është nga ata që e ka përmbyll karrierën e tij, ose është në të arriturat maksimale, por është prej atyre të rinjve shqiptar që s’kanë përtuar, që s’janë ndalur, për të gjurmuar shqiptarin, shqiptaren pra atë kush jemi në atdhe e më gjerë. Tani janë shumë këtu që e bëjnë një punë të tillë e përmes nderimit për Marin Memën ne nderojmë secilin”, deklaroj kryeministri i Kosovës.

Sipas organizatorëve ky çmim ka një vlerë të veçantë sepse lidhet me historinë e dhimbshme e shpesh të mbuluar të popullit shqiptar çka është sjellë në formë të plotë përmes dokumentarëve të ciklit “Gjurmë Shqiptare” në Top Channel.

“Çmimi “Hasan Prishtina” nuk është vetëm një çmim që ndahet nga shoqata për kthimin e shqiptarëve te shpërngulur nga trojet e veta. Është një çmim që në bazën e tij ka dhimbjen vuajtjen e popullit tonë”, u shpreh Jahja Lluka, themelues i çmimit “Hasan Prishtina”.

“Marin Mema doli përtej guximit të politikanëve, përtej guximit të asaj që flitet dhe ai jo vetëm që foli, por na solli të dokumentuar “Gjurmët Shqiptare” kudo në trojet e Shqipërisë së vjetër”, tha Mehmet Prishtina, pasardhës i Hasan Prishtinës.

“Për mua ky çmim ka një rëndësi të dyfishtë, e para sepse mban emrin e një prej figurave më të mëdha të kombit shqiptar Hasan Prishtinës dhe e dyta sepse është një detyrim për të ardhmen, është një detyrim për të ecur përpara dhe për të sjellë sa më shumë të vërteta historike”, tha Marin Mema.

Ky çmim që renditet si më prestigjiozi në Kosovë, është marrë më parë nga gjenerali Klark, sekretarja amerikane e shtetit Ollbrajt, presidenti Klinton, kryeministri Bler, familjet Jashari, Haradinaj e disa figura të tjera që kanë dhënë kontribut për çështjen shqiptare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA