“Samiti i Studentëve 2018”, Veliaj: PS, gjithmonë e hapur për të rinjtë

26/11/2017 12:49

Pas çeljes së ceremonisë së përvjetorit të Pavarësisë së Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi edhe një bashkëbisedim me të rinjtë pjesëmarrës në “Samitin e Studentëve 2018”, organizuar nga FRESSH.

Si anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, Veliaj tha se shoqëria jonë në këto momente ka nevojë të fitojë betejën me dijen, duke apeluar për hapje. Ai theksoi se ka qenë pikërisht kjo aftësi e PS-së për të pranuar të renë dhe për t’u hapur, që e solli këtë forcë politike në pushtet.

“Ka njerëz që mendojnë se duke shtyrë tjetrin, ecin më lart vet. Ajo që FRESSH ka dëshmuar është në fakt se ne, kur punojmë bashkë dhe ngremë lart njëri-tjetrin, fitojnë të gjithë. Ndaj fitoi edhe PS, e prandaj do të vazhdojë të fitojë, sepse funksionon mbi logjikën që, sidomos tani që jemi në pushtet, ne duhet të hapemi edhe më shumë. Logjika tipike në Shqipëri ka qenë që kur jemi në opozitë kemi nevojë për popullin. Ndërkohë që ajo që kërkon mençuri dhe pjekuri është se, kur je në pushtet dhe kur i ke të gjitha, pikërisht atëherë që duhet të vazhdosh të ngelesh modest, pikërisht atëherë ke nevojë më shumë se kurrë që të hapesh”, theksoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës u shpreh se ky është momenti i rinisë dhe PS është treguar e gatshme për të pranuar të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në të mirë të vendit dhe shoqërisë.

Më tej kryebashkiaku deklaroi se, sot më shumë se kurrë, të jesh patriot i mirë për vendin është që të tregosh vlera të qytetarisë në jetën e përditshme.

“Sot është 26 nëntori dhe është dita e Pavarësisë. Nuk po them se sot ne do caktojmë fatet e kombit, se sot kombi falë Zotit nuk është nën rrezikun e pushtimit, as na duhet të shpallim një pavarësi për mbijetesën tonë si komb. Ne duhet të kemi pavarësi nga zhuli, 105 vite pas shpalljes së Pavarësisë, ne bëjmë aksion kombëtar për të pastruar vendin. Ju inkurajoj të gjithëve të vini flamuj për festën, por nuk mjafton ky turbopatriotizmi vetëm me flamuj”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku njoftoi gjithashtu se dhjetori do jetë një muaj solidariteti, ndaj ftoi të rinjtë që të bëhen pjesë e aktiviteteve që do të organizohen për këtë qëllim dhe t’i vijnë në ndihmë më të dobtëve.

“Samiti i Studentëve 2)18” mblodhi bashkë qindra të rinj dhe të reja për të diskutuar të gjitha problematikat aktuale, për kulturën, integrimin, inovacionin në fusha të caktuara, sfidat në arsim, solidarizimi me aksionin “Të pastrojmë Shqipërinë”, vështirësitë në punësim, për jetën studentore dhe mbi të gjitha për aktivizmin rinor. I shtrirë në 3 ditë, ky samit do të vendosë për sfidat që do të përballen të rinjtë në vitin në vazhdim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA