Në Bulqizë të gjithë mbijetojnë me anë të kromit. Dikush punon në galeri, të tjerë e kërkojnë metalin e çmuar në stoqet e nxjerra nga fundi i tokës, mes tyre dhe shumë femijë, realitet ky që në Bulqizë është i pranuar nga të gjithë.
“Sa herë ndryshon konjuktura e kromit, normalisht që këto raste edhe shtohen. Nuk është fenomen i përhapur, por në raste sporadoke ka dhe vazhdon të ketë. Ne kemi diskutuar dhe me këta blerësit, por në shumicën e rasteve fëmijët e shesin kromin nëpërmjet një personi më të rritur”, thotë kryetari i Bashkisë së Bulqizës, Melaim Damzi.
Kjo cilësohet normale dhe nga drejtoresha e shkollës 9-vjeçare “Xhevdet Doda”. Por ajo siguron se ky aktivitet kryhet gjatë ditëve të pushimit, ose pas orarit të mësimit.
“Të mbledhësh krom në oborrin e shtëpisë është diçka normale, pasi e edukon fëmijën me kulturën e punës”, deklaron drejtorja Lindita Kaja.
Shërbimi Social është akuzuar nga opozita se po kërcënon familjet me ndërprerje të ndihmës ekonomike në rast se ata nxjerrin fëmijët për të mbledhur krom, akuzë kjo që hidhet poshtë nga shërbimi social.
“Për ndryshimin totalisht të situatës duhet një mirëfunksionim i të gjitha instancave”, thotë drejtori i Shërbimit Social në Bulqizë, Haxhi Pulja.
Angazhimi i të gjitha strukturave kërkohet edhe nga Zyra e Punësimit.
“Kemi kërkuar ngritjen e një task-force gjatë takimeve me prefektin për të ndaluar këtë fenomen”, shprehet Asllan Daxha, drejtor i Zyrës së Punësimit në Bulqizë.
Por pavarësisht apeleve zyrtare kërkimi i kromit mes grumbujve të gurëve vijon sërish vijon.
Një ditë më parë në këtë qytet, që fle i varfër mbi një nëntokë të pasur ndodhi fatkeqësia e radhës. Një 23-vjeçar, Eduart Dama, humbi jetën i zënë poshtë nga një pirg minerali.
Prokuroria po heton për shkaqet. Nga Qershori 2008 deri më sot, në Qarkun e Dibrës janë regjistruar 172 aksidente në miniera, ku kanë humbur jetën 16 persona. Në pjesën dërrmuese të rasteve, aksidentet kanë ndodhur për shkak të mungesës së sigurisë në punë.
Edhe pse është një nga qytetet me nëntokën më të pasur në Shqipëri, Bulqiza shumë pak përfiton prej kromit. Metali i çmuar ngarkohet e largohet nga ky qytet. Këtu mbeten grumbuj gurësh, që çdo ditë gërrmohen nga fëmijë, burra, gra e të moshuar, të cilët nxjerrin prej aty, atë sasi të vogël të kromit, i cili u shërben për të fituar bukën e gojës.
Pavarësisht rreziqeve të mëdha, të cilat në jo pak raste kanë shkaktuar dhe tragjedi, pesha e urisë është më e madhe se pesha e një kove të mbushur me krom.
Top Channel