Irlanda e Veriut “tërbohet” nga penalltia e Zvicrës

10/11/2017 14:08

Zvicra arriti të marrë një fitore të rëndësishme ndaj Irlandës së Veriut në ndeshjen e parë të “play-off”-it të Botërorit 2018.

Rezultati i sfidës ishte 0-1 në favor të helvetëve, që e shënuan golin e fitores me anë të një 11-metërshi të ekzekutuar nga Rodriguez, që vetëm i tillë nuk ishte.

Një episod ky që ka lënë të shtangur të gjithë në “Windsor Park”, ndërkohë që reagimet në Irlandën e Veriut kanë qenë të forta, aq sa u bë edhe krahasimi me prekjen e topit me dorë të Henry në ndeshjen me Francën në vitin 2009.

“Ishte një penallti e çuditshme që komplikon jo pak situatën e skuadrës së O’Neil”, lexohet tek e përditshmja “Belfast Telegraph”, një artikull që ka gjetur jehonë edhe në median britanike.

“Mirror” shkruan: “Një penallti e shëmtuar e vë skuadrën e Irlandës së Veriut përballë një misioni shumë të vështirë”.

Por ai që lëshoi deklaratën më të fortë ishte Johnny Evans, vëllai i futbollistit që – sipas arbitrit, – shkaktoi atë penallti.

“Ky 11-metërsh është një episod edhe më i keq sesa prekja e topit më dorë të Henrysë në ndeshjen ndaj Francës në vitin 2009”, tha Evans.

E turpshme apo jo, e vërterta është që i gjithë ishulli irlandez nuk ka shumë fat me arbitrimet në ndeshjet e “play-off”-eve dhe, pas asaj që ndodhi në vitin 2009, futbolli botëror rrezikohet që të përfshihet në një tjetër skandal, që mund të evitohej nëse do të përdorej sistemi VAR.

Top Channel