Mes dhjetëra golave të shënuar në Europë, vëmendjen e rrjeteve sociale e rrëmbeu një moment krejt ndryshe. Futbollisti i Kayserisporit doli në ekran me vajzën e tij, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm për pranimin dhe respektin ndaj personave me sindromën Down.

Futbolli dhuron emocione të mëdha, por ndonjëherë momentet më të bukura nuk kanë të bëjnë me golat apo rezultatet. Këtë herë, protagonist u bë Semih Güler, futbollisti turk i Kayserisporit, i cili preku zemrat e publikut gjatë një interviste për beIN SPORTS Turqi, teksa mbante në krahë vajzën e tij, e cila ka sindromën Down.

Duke shfrytëzuar vëmendjen e mediave, Güler përcolli një mesazh të ndjerë për pranimin, dashurinë dhe respektin ndaj personave me sindromën Down. “Ata mund të kenë një kromozom më shumë, por janë njerëz më të bukur se ne”, u shpreh futbollisti, me fjalë që përcollën një mesazh të fuqishëm njerëzor.

Momenti më emocionues erdhi kur Güler iu drejtua vajzës së tij dhe e pyeti nëse dëshironte të thoshte diçka. Përgjigjja e vogëlushes ishte një puthje, një gjest i thjeshtë që e bëri edhe më të veçantë këtë intervistë dhe preku shumë nga ata që e panë videon.

Por mesazhi i futbollistit nuk u kufizua vetëm te fjalët. Në ndeshjen kundër Adana Demirspor, ai zbriti në fushë me këpucë futbolli me ngjyra të ndryshme, duke shprehur në këtë mënyrë mbështetjen për personat me sindromën Down dhe duke tërhequr vëmendjen ndaj rëndësisë së përfshirjes së tyre në shoqëri.

Një intervistë, një puthje dhe një mesazh i sinqertë që tregojnë se futbolli mund të jetë shumë më tepër se një lojë: një mundësi për të përcjellë vlera dhe për të bërë diferencën në jetën e njerëzve.

Top Channel