Pësoi kolaps gjatë stërvitjes, Bayern Munich reagon zyrtarisht për Kompany: Si paraqitet gjendja shëndetësore e trajnerit belg

23/10/2026 18:50

Bayern Munich ka reaguar zyrtarisht për gjendjen shëndetësore të trajnerit Vincent Kompany, i cili u dërgua për trajtim mjekësor pas një kolapsi gjatë stërvitjes.

Klubi bavarez konfirmon se tekniku belg do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të detajuara në spital dhe do të qëndrojë nën kujdesin e mjekëve.

Sipas njoftimit të klubit, ngjarja ndodhi të premten, kur Kompany po ndiqte nga afër seancën stërvitore të ekipit të dytë të Bayernit. Gjatë kësaj kohe, trajneri i skuadrës së parë pësoi një kolaps dhe u desh të merrte ndihmë mjekësore.

Bayern Munich bëri të ditur se gjendja e trajnerit po vlerësohet nga mjekët, ndërsa për momentin nuk ka dhënë detaje të tjera mbi shkakun e incidentit apo kohën e mundshme të rikuperimit.

Pas ngjarjes ka reaguar edhe drejtori sportiv i Bayern Munich, Max Eberl, i cili siguroi se klubi do t’i ofrojë trajnerit të gjithë mbështetjen e nevojshme gjatë kësaj periudhe.

“Shëndeti i Vincent Kompanyt ka përparësi absolute për ne. Te Bayern Munich do të bëjmë gjithçka që ai të rikuperohet sa më shpejt. Vinnie po merr të gjithë kujdesin dhe mbështetjen e nevojshme mjekësore, si dhe gjithë kohën që i duhet”, deklaroi Eberl.

Ai theksoi gjithashtu se përgjegjësitë e trajnerit do të mbulohen nga stafi teknik deri në një njoftim të mëtejshëm.

“Ne kemi besim të plotë te stafi i tij teknik, i cili do të marrë përsipër detyrat e tij. Të gjithë te Bayern Munich i urojmë Vinniet një rikuperim të shpejtë”, shtoi drejtuesi bavarez.

Në njoftimin zyrtar, Bayern Munich konfirmoi se, deri në një njoftim të ri, stafi i Kompanyt do të menaxhojë stërvitjet dhe angazhimet e skuadrës në ndeshje.

Për momentin, vëmendja është përqendruar te gjendja shëndetësore e trajnerit belg, ndërsa klubi nuk ka bërë të ditur se kur ai mund të rikthehet në detyrë.

Top Channel