‘Përplasja e titanëve’ e futbollit spanjoll, Barcelona-Real, sfida ku në lojë janë më shumë se 3 pikët

23/10/2026 15:43

Barcelona dhe Reali i Madridit do të luajnë më shumë se 3 pikë në mbrëmjen e së dielës në atë që quhet edhe si përplasja e titanëve të futbollit spanjoll.

Në radhë të parë në lojë është supremacia në El Clasico që deri përpara pak kohësh shihte Realin e Madridit që e dominonte, por në vitet e fundit Barcelona e shkurtoi diferencën falë edhe kontributit të Hansi Flick, me të cilin katalanasit kanë marrë 5 fitore në 6 përballjet e fundit për të arritur në një barazim që nuk ishte parë kurrë më parë me nga 106 fitore secila, ndërkohë që 52 ndeshje janë mbyllur në barazim.

Nëse të dielën Barcelona do të mundë Realin e Madridit do të marrë avantazhin në ndeshjet e El Clasico diçka që nuk ndodh prej 1 shekulli. Duke qëndruar brenda kësaj sfide, Barcelona ka shansin që të kalojë Realin e Madridit edhe përsa iu përket golave të shënuar, për momentin Los Blancos janë në avantazh me 444 gola të shënuar kundrejt 441 të Barcelonës.

Por jo vetëm kaq, përballja mes Barcelonës dhe Realit të Madridit ka edhe aspekte të tjerë në lojë, siç është rekordi i startit më të mirë të sezonit në historinë e La Ligës, që Barcelona e Flick e barazoi të shtunën e kaluar pasi mundi Betisin 5-2 duke arritur në 9 fitore radhazi, një arritje që deri tani e ka arritur vetëm Reali i Madridit i sezonit 1968/69. Duhej të kalonin thuajse 60 vjet që një tjetër skuadër të arrinte në shifra të tillë dhe që këtë të dielë ky rekord mund të thyhet

Po kështu, një fitore e mundshme e Barcelonës do të linte skuadrën e Mourinhos praktikisht larg luftës për titullit pasi diferenca do të shkonte në 9 pikë. Barcelona ka një armë tjetër në favorin e saj, faktorin fushë; skuadra katalanase në shtëpinë e saj ka regjistruar një seri prej 23 fitoresh radhazi, sezonin e kaluar i fitoi të gjitha sfidat e luajtura përpara publikut të saj dhe këtë sezon ka 4 fitore në Camp Nou në 4 ndeshje të luajtura.

Top Channel