Në ishullin e Kretës nisi rreth orës 10 takimi i dy ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Greqisë, bisedime që synojnë të zgjidhin problemet më të mëdha mes dy vendeve.
Deri pasditen e së shtunës, takimi me miratimin e palëve do të përpqiet të zhvillohet larg vëmendjes mediatike. Megjithatë, Top Channel ka siguruar programin e tij, ku renditen problemet që kërkojnë zgjidhje urgjente.
Në listën e miratuar prej dy Ministrive të Jashtme renditen probleme teknike, të cilat ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve të të dy vendeve, siç është pulla apostile, çështja e patentave, apo teksteve shkollore.
Do të diskutohet për një marrëveshje të re për çështjen e detit, çështjen e varrezave të të rënëve grekë në Luftën e Dytë Botërore, traktatin e ri të miqësisë mes dy vendeve, por edhe probleme të bartura historike, siç janë ligji i luftës apo problemet e pronave në të dy anët e kufirit.
Ndërkohë që nuk ka njoftim nëse palët do të diskutojnë për temat e ashtuquajtura tabu për palët, sic është çështja çame apo kërkesa greke për zgjerimin e zonave minoritare në Shqipëri.
Top Channel