Këshilltari special, Robert Mueller ka mbledhur prova të mjaftueshme për të akuzuar Michael Flynn, ish-këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të presidentit amerikan, Donald Trump dhe djalin e tij, raporton NBC News.
Duke cituar disa burime të afërta me hetimin, NBC News tha se ekipi i Mueller, po heton mbi akuza për larje parash, mashtrim të agjentëve federalë dhe rolin e Flynn në një plan të mundshëm për të dëbuar një kundërshtar të presidentit turk nga SHBA, në këmbim të miliona dollarëve.
Bëhet fjalë me sa duket për klerikun me banim në SHBA, Fetullah Gylen, të cilin presidenti turk Recep Tayip Erdogan e fajëson për grushtin e dështuar të shtetit të vitit të shkuar.
Sipas NBC News, Mueller po shton presionin mbi Flynn, pas akuzave të ngritura më herët mbi menaxherin e fushatës së Trump, Paul Manafort.
Flynn shërbeu për 24 ditë si këshilltar për Sigurinë Kombëtare i presidentit Trump, por u shkarkua pasi u zbulua se kishte keqinformuar për kontaktet e tij me një diplomat rus, zëvendëspresidentin Mike Pence.
Top Channel